Liverpooli ka bërë një nga afatet kalimtare më të bujshme në historinë e klubit, duke shpenzuar në letër plot 502 milionë euro këtë verë, por në realitet duke menaxhuar pagesat me një strategji financiare të zgjuar.
Në qendër të këtyre lëvizjeve që pasqyrojnë stilin e “Galaktikëve” të Real Madridit, qëndrojnë dy transferime të bujshme: Florian Wirtz nga Bayer Leverkusen për një shifër totale prej 130.5 milionë euro dhe Alexander Isak nga Newcastle për 140.5 milionë euro.
Megjithatë, siç raporton The Times, nga arkën e klubit janë larguar vetëm 60 milionë euro paraprakisht – falë pagesave me këste dhe strukturave të kujdesshme të kontratave.
Si u bë marrëveshja për Florian Wirtz
Mesfushori gjerman, vetëm 22 vjeç dhe i shpallur kampion i Bundesligës me Bayer Leverkusenin, u ble për një tarifë të garantuar prej 112.5 milionë euro, e ndarë në pesë këste.
18 milionë euro të tjera do të paguhen vetëm në rast se Liverpooli fiton katër herë Ligën e Kampionëve ose Ligën Premier gjatë qëndrimit të tij në Anfield.
Florian Wirtz
Saga e Alexander Isakut
Ndërkohë, transferimi i Isak u kthye në një dramë vere. Pas refuzimit të ofertës së parë prej 124 milionë euro nga Newcastle, sulmuesi suedez u rebelua, refuzoi të luante miqësore dhe stërviti veçmas.
Vetëm më 31 gusht, pas një fitoreje të madhe të Reds ndaj Arsenalit, drejtori sportiv Richard Hughes u rikthye me një ofertë të dytë: 140.5 milionë euro të strukturuara në katër këste. Për këtë sezon, Liverpooli ka paguar vetëm 35.1 milionë euro për sulmuesin që shënoi 23 gola në Angli një vit më parë.
Alexander Isak
Balancimi i librave
Shpenzimet e larta u mbuluan pjesërisht nga shitjet e rëndësishme si Luis Diaz te Bayern Munich (92.6 milionë euro) dhe Darwin Nunez te Al-Hilal (70.1 milionë euro), që sollën mbi 232.7 milionë euro në arkat e klubit.
Në letër, Liverpooli ka shpenzuar shifra galaktike. Por në praktikë, vetëm 59.8 milionë euro këtë verë mjaftuan për të sjellë në Anfield dy prej talenteve më të kërkuar të futbollit evropian. Një manovër që shihet si “masterklas financiar” dhe garanci për të ardhmen. /Telegrafi/