Analisti Visar Ymeri ka vlerësuar lart mësimin tërëditor në Prishtinë, duke e cilësuar si një standard që kryeqyteti ka nisur dhe që është përcjellë edhe në komunat e tjera të Kosovës.
Sipas tij, ky model tregon se kryeqyteti ka kapacitetin më të madh për të vendosur standarde të reja dhe shpreson që të tjerët të ndjekin shembullin e Prishtinës.
Sipas Ymerit, kandidati duhet të tregojë se çfarë vizioni ka për qytetin, pasi vetëm ndryshimi i asfaltit nuk mjafton.
Ai përmendi mësimin tërëditor si një shembull të një premtimi të realizuar dhe shprehu shpresën që kjo praktikë të zgjerohet edhe në qytete të tjera.
“Duhet kandidati me kallëxu mas 4 vjete qysh ka me u dok qytetit, vijat në asfalt nuk mjaftojnë. Nëse kryeqyteti i Kosovës udhëheq me ide që aplikohen nga tjerat, është gjëja më normale në botë. Kryeqyteti e ka kapacitetin më të madh me shtru standardin. P.sh. qysh ka ndodh me mësimin tërëditor, që ishte premtim i disa kandidatëve, shpresoj që ta bëjnë sikur Prishtina, e shpresoj që Prishtina ta zgjerojë shumë më shumë”, tha Ymeri në RTV Dukagjini.
Ndërkaq, analisti Astrit Gashi tha se Përparim Rama ka udhëhequr Prishtinën me shije dhe pa një qasje krejtësisht partiake.
Gashi ka theksuar se, edhe pse disa projekte kanë pasur ngecje, Rama nuk e ka përdorur postin e kryetarit për interesa politike dhe ka marrë vendime të qëndrueshme për projekte strategjike, përfshirë projektin e Arkitektit të Kryeqytetit.
Ai gjithashtu theksoi se struktura që po ndërtohet në kuadër të këtij projekti është zhvilluar pa ndërhyrje në tenderë, duke treguar një qasje profesionale dhe të pavarur nga ndikimet politike.
“Rama ka qenë njëri prej kryetarëve të parë që deri në këtë fushatë nuk ka përdorur postin e komunës për imakt politik. Kohëve të fundit ka pasur ngecje në projekte, por te Rama nuk kemi parë qasje partizane. Prishtina është qeverisur nga një kryetar që nuk ka qenë krejtësisht partiak. Unë e kam parë vendim të duhur projektin e Arkitektit të Kryeqytetit. Po ndërtohet një strukturë, unë nuk dua të përfshihem në çështjen e tenderit”, u shpreh Gashi.