Shtetet e Bashkuara të Amerikës pezulluan dialogun strategjik me Kosovën. Ky konsiderohet të jetë ‘grushti’ më i madh i amerikanëve ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Megjithatë, lideri i Vetëvendosjes nuk e ka s’pari herë që merr kritika nga aleati më i fuqishëm i vendit, por kjo e fundit nga kundërshtarët e tij politikë po vlerësohet si goditja më e fortë, raporton Klankosova.tv
Para më shumë se një muaji, udhëheqësi në detyrë i ekzekutivit, u takua me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Mbrojtjes, David Baker, ku tha se do të angazhohet për miqësi më të thellë dhe partneritet më të gjerë, por që sot ngjau diçka tjetër.
Ambasada e ShBA-së në Prishtinë tha se pezullimi i dialogut erdhi për shkak të Qeverisë në detyrë, duke cituar rritje të tensioneve dhe paqëndrueshmërisë. Për pasojë, procesi i planifikuar për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike ngeci, pasi veprimet e Kurtit u panë si sfida për përparimin.
Raporti i Qeverisë Kurti me Amerikën plot herë ka qenë temë diskutimi për marrëdhënie jo fort të mira, që janë përcjellë edhe me deklarata të ashpra.
Para disa muajsh, kryeminsitri në detyrë kishte deklaruar se marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në kurrë nuk kanë qenë më mirë, kur u pyet rreth deklaratave të emisarit të presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme, Richard Grenell.
Ky i fundit kishte thënë se Qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme dhe se sipas tij, “republikanët dhe demokratët e kanë kritikuar atë vazhdimisht për ndërmarrje të njëanshme të veprimeve dhe destabilizim të rajonit”, transmeton Klankosova,tv
Dinari kishte vënë në sprovë relacionet Kosovë – ShBA
Në shkurt të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara u shprehën të shqetësuara mbi vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit, valutë në të cilën komuniteti serb në Kosovë pranon pagesa të ndryshme nga Serbia.
Atë kohë, ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, kishte deklaruar se Kosova duhet të tërhiqet nga ky vendim që “e vë në pikëpyetje partneritetin me ShBA-në”.
Njëjtë kishte insistuar edhe ambasadori i atëhershëm amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili kishte thënë se vendimi për dinarin i ka prekur raportet mes dy vendeve.
POR, përkundër këtyre deklarimeve, Kurti këmbëngulte në shkurt 2024 se “raportet janë shumë të mira”, anise siç ishte shprehur ai, kjo nuk do të thotë që dy vendet “pajtohen absolutisht për gjithçka”, raporton Klankosova.tv
Po atë vit, në maj 2024, Departamenti amerikan i Shtetit (DASh) tha se është i zhgënjyer që Policia e Kosovës kishte ndërmarrë aksion në zyrat financiare në veri të Kosovës më 20 maj.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të minoritetit serb – të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat”, thuhej në deklaratën e tyre.
Ndërsa në gusht të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin shprehur të shqetësuara dhe zhgënjyera për aksionin e autoriteteve të Kosovës në veri, për mbylljen e strukturave paralele në komunat veriore.
Ambasada amerikane në Kosovë aksionin në veri e kishte cilësuar “vazhdimësi të veprimeve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e që vazhdojnë të kenë ndikim direkt dhe negativ në komunitetin serb dhe komunitetet tjera minoritare në Kosovë”.
Në reagim thuhej se aksioni “nuk ka qenë i koordinuar me asnjë element të komunitetit ndërkombëtar”.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtar, duke mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton në përkeqësimin real dhe në rritje të partneritetit tonë”.
Anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në “Defender Europe 2023”
Kurti kishte marrë goditje nga Amerika edhe në maj 2023.
Sekretari i atëhershëm amerikan i Shtetit, Antony Blinken i kishte dënuar fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, që sipas tij, i kanë përshkallëzuar tensionet në veri dhe kanë shtuar jostabilitetin”. Ai thoshte se këto veprime janë marrë “në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.
Reagimi i Blinken kishte ardhur pas aksioneve të Policisë së Kosovës në tri komunat në veri të Kosovës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për të siguruar qasjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të këtyre tri komunave, transmeton Klankosova.tv
“Këto veprime i kanë përshkallëzuar tensionet pa nevojë, duke i minuar përpjekjet për të ndihmuar në normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këto veprime do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën.
Ne i bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndryshojë kursin në të gjitha drejtimet dhe të përmbahet nga veprimet tjera që mund të rrisin tensionet dhe të promovojnë dhunë”, kishte deklaruar Blinken më 26 maj 2023.
E Kurti ishte shprehur i pakënaqur me këtë deklaratë.
“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, kishte thënë për Guardia.
“Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”, ishin fjalët e liderit të Vetëvendosjes, i cili në detyrë udhëheq sot ekzekutivin.
Më 30 maj të atij viti, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte njoftuar po ashtu se Qeveria e Kosovës nuk ishte koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund” për të./Klankosova.tv
The post Si e acaroi Albin Kurti aleatin më të madh të Kosovës – nga moskoordinimi te sfidimi appeared first on Klan Kosova.