Shumë thirrje e ofendime anti-Kosovë në Leskovc, FFK-ja dërgon notë proteste në UEFA

Shumë thirrje e ofendime anti-Kosovë në Leskovc, FFK-ja dërgon notë proteste në UEFA

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se do të paraqesë një notë proteste në UEFA, duke kërkuar që të ndërmerren masa të qarta dhe të rrepta ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për thirrjet në kor kundër Kosovës dhe mesazhet provokuese të shfaqura në tribunat e stadiumit të Leskovcit me flamurin serb mbi hartën e Kosovës gjatë ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.

FFK-ja tha se i dënon ashpër këto veprime që janë bërë, transmeton Klankosova.tv.

“Këto skena për fat të keq nuk janë të reja në stadiumet serbe, ku nxitja e urrejtjes dhe mesazhet fyese ndaj shteteve fqinje vazhdojnë të përsëriten pa ndëshkim të mjaftueshëm. FFK vlerëson se veprime të tilla bien ndesh me frymën sportive, me parimet e respektit dhe me vlerat që UEFA dhe FIFA përfaqësojnë”, tha FFK-ja.

Në këtë drejtim, FFK tha se do të paraqesë një notë proteste në UEFA, “duke kërkuar që të ndërmerren masa të qarta dhe të rrepta ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për këto akte të përsëritura, që dëmtojnë imazhin e futbollit dhe cenojnë parimet e UEFA-s dhe FIFA-s”.

Njëkohësisht, Federata e Futbollit e Kosovës uroi Kombëtaren e Shqipërisë “për fitoren e merituar 1:0 ndaj Serbisë, një fitore që pasqyron karakterin, përkushtimin dhe forcën e futbollit shqiptar”.

Në fund, FFK-ja thekson se do të vazhdojë të mbrojë me dinjitet vlerat e sportit, të respektit dhe të barazisë mes popujve, duke kërkuar që çdo fushë futbolli në Evropë të jetë vend i lojës dhe jo i urrejtjes. /Klankosova.tv

The post Shumë thirrje e ofendime anti-Kosovë në Leskovc, FFK-ja dërgon notë proteste në UEFA appeared first on Klan Kosova.