Podujeva gjatë ditës së sotme është përballur me nëntë vatra të zjarrit në disa fshatra.
Komandanti i zjarrfikësve në Podujevë, Milaim Ajvazi, ka bërë të ditur se zjarre ka pasur në fshatin Revuqë, Peran, Siboc, Shakjoc, Lupq, Lluzhan, Pakashticë dhe Sylevicë.
“Këto janë vatra që i kemi lokalizuar me sukses ndërsa na mbetet një pjesë e vogël e malit në fshatin Pakashticë, ndërsa vatrat e tjera i kemi likuiduar. Janë angazhuar edhe dy ekipe nga Prishtina”.
“Këto zjarre kryesisht janë të qëllimshme, vijnë nga njerëz të pandërgjegjshëm. Kemi edhe një traditë që me një teknik të lashtë t’i pastrojmë arat, kullosat, barin e thatë e kështu me radhë”, tha Ajavazi në një lidhje direkte në Edicionin Special në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se në fshatin Pakashticë dhe në Shajkoc, falë intervenimit të zjarrfikësve janë shpëtuar disa shtëpi që të mos përfshihen nga flakët.
“Në fshatin Pakashticë i kemi shpëtuar disa shtëpi. Gjithashtu edhe në Shajkoc ndërsa në vatrat tjera s’ka pasur shtëpi të rrezikuara dhe kanë kaluar pa lëndime në njerëz”, tha ai.
The post Shuhen nëntë vatra zjarri në Podujevë, komandanti i zjarrfikësve: Janë të qëllimshme appeared first on Klan Kosova.