Spektakli i njohur Big Brother VIP Kosova do të nisë më vonë se sa ishte parashikuar.
Fillimisht, nisja e tij ishte planifikuar për 31 tetor, por burime të Telegrafi pranë produksionit bëjnë me dije se nisja e edicionit të katërt është shtyrë deri në fund të nëntorit.
Sipas të njëjtave burime, arsyet kryesore të shtyrjes lidhen me zhvillimet politike në vend. Në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale më 12 tetor, dhe më pas balotazhi që pritet të zhvillohet katër javë më pas, më 9 nëntor. Produksioni ka vendosur që të shmangë përplasjen me këto ngjarje për të siguruar një start të fokusuar dhe tërheqës për publikun.
Një tjetër arsye për shtyrjen, sipas burimeve, është zgjerimi i produksionit dhe nevoja për staf shtesë. Kjo do të sigurojë që çdo aspekt i spektaklit të jetë në nivelin e duhur dhe përvojë e banorëve dhe publikut të jetë sa më profesionale dhe emocionuese.
Edicioni i katërt i Big Brother VIP Kosova pritet të sjellë befasi dhe momente të papritura, duke rikthyer audiencën në një tjetër sezon plot tension, emocione dhe ngjarje spektakolare brenda shtëpisë më të famshme të Kosovës. /Telegrafi/