Një përbërës i veçantë që shtohet te lakra e thartë jo vetëm që përshpejton procesin e fermentimit, por edhe e bën më jetëgjatë, duke parandaluar prishjen
Lakra e thartë shpesh quhet “superushqim”, sepse është e pasur me vitamina të shumta, sidomos me vitaminë C. Përveç saj, përmban edhe vitamina A1, B1, B2, B3, B6, B12, K dhe E. Në të gjenden gjithashtu minerale të rëndësishme si kalciumi, fosfori, kaliumi, magnezi dhe hekuri. Procesi i fermentimit krijon gjithashtu probiotikë natyralë, që përmirësojnë tretjen, forcojnë imunitetin dhe ndihmojnë mikroflorën e zorrëve.
Nëse e përgatitni vetë në shtëpi, është mirë të dini se ekziston një përbërës që përmirëson shijen dhe rrit jetëgjatësinë e lakrës së thartë – rrika.
Rrika është një rrënjë me aromë të fortë dhe shije pak pikante, e ngjashme me mustardën. Ajo ka veti antibakteriale dhe antifungale, prandaj ndihmon në ruajtjen e turshive dhe parandalon prishjen e tyre. Për më tepër, i jep lakrës një shije të veçantë dhe e bën më aromatike, transmeton Telegrafi.
Përbërës shtesë që pasurojnë shijen:
- Një grusht misër i shtuar në kovë do t’i japë lakrës një ngjyrë të artë.
- Për ata që pëlqejnë shijet pikante, shtimi i specit djegës është një ide shumë e mirë.
- Gjethet e dafinës po ashtu mund të pasurojnë aromën dhe freskinë.
Këshillë praktike:
Në kavanoz ose vaskë mund të vendosni qese të mbushura me lakër të grirë dhe të kriposur. Qeset duhet të kenë disa vrima, në mënyrë që të qarkullojë lëngu i kripur. Ato futen ndërmjet kokave të lakrës dhe mbushin hapësirat bosh. Në këtë mënyrë, nga e njëjta enë do të merrni edhe kokat e lakrës së thartë, edhe lakër të grirë gati për përdorim.
💡 Mos harroni: lakra duhet të qëndrojë gjithmonë nën nivelin e lëngut të kripur, sepse ekspozimi ndaj ajrit e prish shpejt. Enët duhet të jenë të pastra dhe pa detergjente kimike, që të mos ndikojnë në fermentim. /Telegrafi/