Egjipti po bën presion për të ringjallur një forcë ushtarake arabe në stilin e NATO-s për mbrojtje të shpejtë në rast sulmesh. Propozimi fiton terren përpara një samiti arab, me Kajron që kërkon mbështetje rajonale.
Egjipti po kërkon të ringjallë një forcë të përbashkët ushtarake arabe të modeluar sipas NATO-s.
Kështu thuhet sipas raporteve të shumta në gjuhën arabe të shtunën që e lidhin këtë veprim me luftën Izrael-Hamas dhe me një samit arabo-islamik që pritet në Doha të hënën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Burimet përfshijnë gazetën pro-Hezbollah të Libanit, Al-Akhbar, e cila citoi një burim qeveritar në Kajro.
Al-Quds Al-Arabi me seli në Londër raportoi se presidenti Abdel Fattah al-Sisi po punon për të rindërtuar mbështetjen arabe për një forcë reagimi të shpejtë që mund të vendoset për të mbrojtur çdo shtet arab nën sulm.
Ky medium thuhet se tha se propozimi është hedhur në kontaktet e fundit diplomatike përpara samitit.
Media e paraqiti idenë si një ombrellë mbrojtëse dhe jo si një përshkallëzim me Izraelin.
Ndërkohë, vënë në pah mediat e huaja, përcjell Telegrafi, media palestineze Ma’an publikoi detaje të ngjashme dhe tha se Kajro po diskuton kontributin e rreth 20,000 trupave egjiptiane dhe kërkon të vendosë një oficer egjiptian me katër yje në komandë, me Arabinë Saudite si partnerin kryesor nëse plani përparon.
Ma’an i karakterizoi diskutimet si të vazhdueshme.
Siç theksohet më tej, diskutimet po përqendrohen në mënyrën se si do të funksiononte një organ i tillë, me Kajron që thekson se duhet të formësohet në përputhje me demografinë dhe kapacitetet ushtarake të vendeve arabe pjesëmarrëse.
Ideja, e cila u shfaq për herë të parë gati një dekadë më parë, dështoi të përparonte në atë kohë.
Por raportet sugjerojnë se sulmi i fundit i Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamasit në Katar e ka rikthyer propozimin në plan të parë.
Andaj, zyrtarët egjiptianë tani po kërkojnë mbështetje nga vendet e tjera arabe për të çuar përpara iniciativën.
Burimi i cituar nga Al-Akhbar theksoi se konsideratat rajonale dhe politike do të luanin gjithashtu një rol, duke vënë në dukje përfshirjen e mundshme të forcave nga Maroku dhe Algjeria.
“Mekanizmi duhet të lejojë që forca të vendoset kur është e nevojshme, dhe duhet të formohet në një mënyrë që pasqyron përbërjen e shteteve arabe dhe ushtrive të tyre, duke balancuar politikën rajonale”, u citua të thoshte zyrtari.
Një pikë tjetër e negociatave është se si do të ndahen përgjegjësitë e komandës.
Burimi tha se Egjipti synon të mbajë pozicionin e komandës së lartë, ndërsa i dyti do t’i shkonte Arabisë Saudite ose një shteti tjetër të Gjirit.
Kjo pasqyron përpjekjen e Kajros për të siguruar një rol udhëheqës në çdo marrëveshje të mbrojtjes kolektive, duke i dhënë një vend të spikatur monarkive të Gjirit.
Edhe pse është ende në fazën e diskutimit, iniciativa sinjalizon përpjekjen e Egjiptit për t’u pozicionuar në qendër të një kuadri të ri sigurie për botën arabe.
Dhe koha kur po rikthehet ky propozim, që vjen disa ditë pas një sulmi izraelit në Doha, i ka shtuar urgjencën përpjekjeve të Kajros për të mbledhur mbështetje midis partnerëve të saj rajonalë.
Sidoqoftë, nuk ka pasur ndonjë konfirmim të menjëhershëm zyrtar nga Kajro.
Në anën tjetër, lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, u citua në mediat arabe duke kritikuar propozimin e raportuar si “një goditje ndaj kuadrit ekzistues të paqes”.
“Raporti në lidhje me propozimin e Egjiptit për të krijuar një forcë të përbashkët arabe në përgjigje të sulmeve izraelite është një goditje e rëndë për marrëveshjet e paqes”, ka thënë Lapid.
Siç ka vlerësuar ai, “kjo vjen menjëherë pas goditjes së rëndë ndaj Marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat vetë erdhën menjëherë pasi shumica dërrmuese e vendeve që dikur ishin aleatë të Izraelit votuan në favor të krijimit të një shteti palestinez”. /Telegrafi/