Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e ka shmangur vendosjen e një afati për bisedimet e tërthorta që nisën të hënën në Egjipt mes Izraelit dhe Hamasit për arritjen e një marrëveshjeje për propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
“Ka bisedime teknike që po ndodhin mu tani në Egjipt mes emisarit të posaçëm Witkoff dhe z. Kushner si dhe palëve përkatëse nga të gjitha palët” – tha zonja Leavit në një konferencë për gazetarë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Megjithatë, një diplomat arab i tha këtij mediumi se edhe pse Witkoff dhe Kushner ndodhen në Egjpit, ata do të bëhen personalisht pjesë e bisedimeve, kur ato të jenë gati për t’u finalizuar.
Dita e parë e bisedimeve pritet të shfrytëzohet kryesisht për t’u lejuar plaëve që t’i paraqesin pozicionet e tyre dhe që ndërmjetësit t’i identifikojnë dallimet e mbetura dhe si t’i mbyllin ato, tha diplomati.
Zëdhënësja Leavitt theksoi se “të gjitha palët e këtij konflikti [tashmë] pajtohen se kjo luftë duhet të marrë fund dhe pajtohen me kornizën 20-pikëshe që presidenti Trump e ka propozuar”.
“Administrata [amerikane] është duke punuar fort për ta çuar topin përpara sa më shpejt që mundemi. Presidenti dëshiron të shohë një armëpushim. Ai dëshiron t’i shohë pengjet të liruara” – shtoi sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë.
“Ekipet teknike, përderisa ne flasim, janë duke diskutuar për t’u siguruar që mjedisi të jetë i përsosur për lirimin e pengjeve. Ato po i shikojnë listat e pengjeve izraelite dhe të të burgosurve politikë që do të lirohen” – shtoi ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!