Shtëpia e Bardhë kritikon vendimin e Komitetit të Nobelit për të mos ia dhënë Trumpit, Çmimin e Paqes për vitin 2025

Shtëpia e Bardhë kritikon vendimin e Komitetit të Nobelit për të mos ia dhënë Trumpit, Çmimin e Paqes për vitin 2025

Shtëpia e Bardhë kritikoi vendimin e komitetit të Nobelit për të mos ia dhënë çmimin e paqes të këtij viti Presidentit Donald Trump, duke pretenduar se ata “vërtetuan se e vendosin politikën mbi paqen”.

“Presidenti Trump do të vazhdojë të bëjë marrëveshje paqeje, t’i japë fund luftërave dhe të shpëtojë jetë. Ai ka zemrën e një humanisti dhe nuk do të ketë kurrë askënd si ai që mund të lëvizë malet me forcën e vullnetit të tij”, shkroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung në një postim në X.


Trump ka kohë që “lakmon” Çmimin prestigjioz Nobel për Paqen dhe ka lobuar agresivisht për çmimin, duke përmendur rolin e tij në ndërmjetësimin e një numri marrëveshjesh ndërkombëtare për armëpushim.

Deri më tani, vetë Trump nuk ka komentuar për mosfitimin e çmimit të këtij viti.

Komiteti Norvegjez i Nobelit njoftoi të premten se po ia jepte Çmimin e Paqes për vitin 2025 udhëheqëses së opozitës venezueliane, María Corina Machado.

“Si udhëheqëse e lëvizjes demokratike në Venezuelë, María Corina Machado është një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të guximit civil në Amerikën Latine në kohët e fundit”, tha komiteti në një deklaratë, përcjell Telegrafi.

“Ajo po merr Çmimin Nobel për Paqen për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për luftën e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”. /Telegrafi/