Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë se “pak progres” u bë gjatë bisedimeve bërthamore të së hënës me Iranin, por se palët janë “ende shumë larg njëra-tjetrës për disa çështje”.
“Iranianët pritet të kthehen te ne me disa hollësi shtesë në javët në vijim, prandaj presidenti [Donald Trump] do të vazhdojë që të shikojë se si po shpaloset kjo [situatë]” – shtoi zonja Leavitt, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Në konferencën për gazetarë, ajo u pyet pse Shtetet e Bashkuara besojnë se një sulm ndaj Iranit është i nevojshëm, kur presidenti Trump ka pretenduar se forcat amerikane e kishin “shkatërruar” programin bërthamor të Iranit me sulmet e qershorit ndaj tri qendrave iraniane.
“Ka shumë arsye dhe argumente që mund të bëhen për një sulm kundër Iranit. Presidenti, si komandant suprem, kishte një operacion shumë të suksesshëm. [Operacioni] “Çekani i Mesnatës” tërësisht i shkatërroi objektet bërthamore të Iranit” – tha Leavitt, duke iu referuar sulmeve të qershorit.
“Presidenti ka qenë shumë i qartë sa i përket Iranit dhe cilitdo shtet në botë se diplomacia është gjithmonë opsioni i parë dhe Irani do të ishte shumë i zgjuar, nëse bën marrëveshje” – shtoi ajo, duke refuzuar që të jepte ndonjë afat për një gjë të tillë.
Kjo porosi është përsëritje e qëndrimit të shprehur nga Uashingtoni në forma të ndryshme me javë të tëra, ndërsa bota po pret një vendim nga Trumpi për të parë nëse ai do të autorizojë një sulm tjetër ndaj Iranit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


