Muaji shtator ka qenë “me fat” për deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, pasi ata kanë marrë pagat pa kryer asnjë ditë pune në Kuvend.
Kjo ndodhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila mori një masë të përkohshme për shkak të ankesës së deputetëve të Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit, transmeton Telegrafi.
Si rezultat, deputetët kanë përfituar në fund të muajit shtator paga prej 1,914 euro, pa asnjë angazhim në Kuvend.
Paga mujore e deputetëve të Kuvendit të Kosovës është përcaktuar nga Ligji për Pagat në Sektorin Publik. Sipas këtij ligji, paga bruto e një deputeti është rreth 1,914 euro.
Ky shumë përfshin pagën bazë dhe përfitime të tjera, si mëditje dhe shpërblime për përvojën e punës.
Ndryshe, që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt, vendi ka mbetur pa institucione të reja të formuara.
Vonesat nisën me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dhe pas disa muajsh zvarritjeje, subjekti fitues i zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), arriti të zgjedhë Dimal Basha si kryetar të Kuvendit. Megjithatë, Kuvendi nuk u konstitua plotësisht, pasi pengesë u bë zgjedhja e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.
Votimi i ndarë për kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komunitetet pakicë çoi në ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila më 5 shtator vendosi masë të përkohshme.
Më 30 shtator, Gjykata Kushtetuese njoftoi se ankesa e deputetëve të Listës Serbe është pranuar, duke njoftuar se seanca konstituive nuk ka përfunduar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Gjykata ka urdhëruar që seanca konstituive të përfundojë brenda 12 ditësh nga hyrja në fuqi e aktgjykimit. /Telegrafi/