Janë identifikuar të gjashtë viktimat e zjarrit që kaploi një autobus në Fribourg të Zvicrës, ndërsa pesë persona të tjerë mbetën të lënduar.
Gazetari që vepron ne Gjenevë, Nefail Maliqi tha për emisionin “Ora Shtatë” se në mesin e personave që qëlluan në atë autobus, ishte edhe një shqiptar, të cilin ai e quajti hero, transmeton Klankosova.tv.
“Mund ta quajmë hero. I riu shqiptar u gjet në të njëjtin autobus që u përfshi nga flakët, i cili arriti t’i shpëtonte tragjedisë. Bëhet fjalë për Faton Berishën, i cili pësoi djegie në trup dhe dëmtime nga tymi, por arriti të dilte nga autobusi me shumë vështirësi. Dëshmitarët okularë kanë thënë për gazetën tonë se shqiptari i cili u gjet në atë autobus, u përpoq të shpëtonte pasagjerët”, u shpreh Maliqi në Klan Kosova.
Dyshohet se një zviceran i moshës 65-vjeçar, i vuri vetes flakën brenda autobusit, dhe siç raporton gazetari, autori kishte edhe probleme mendore.


