“Shqiptarët s’e ndalen rezistencën” – Sfidat e shpalljes së Kushtetutës që ndau Kosovën prej Serbisë

“Shqiptarët s’e ndalen rezistencën” – Sfidat e shpalljes së Kushtetutës që ndau Kosovën prej Serbisë

Sot shënohet 35-vjetori i shpalljes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga delegatët e atëhershëm të Kuvendit, të cilët ishin mbledhur në Kaçanik për ta shpallur këtë akt, i cili e ndante përfundimisht, sipas tyre, Republikën e Kosovës nga Serbia.

Në këtë përvjetor, në “Info Magazine” foli njëri nga akterët më kryesor të kësaj ngjarje historike, Ilaz Ramajli.

“Sot është përvjetori që rrumbullakosën 35 vjet nga mbledhja e Kaçanikut që u mbajt më 7 shtator 1990, dhe unë them që është shumë e rëndësishme që kjo datë të përkujtohet jo vetëm nga fakti që ka qenë datë historike në fushën e konstituimit të shtetit të Kosovës, por edhe që kjo kujtesë të mos harrohet dhe të transmetohet te gjeneratat e reja të cilat duhet ta dinë si ka qenë rrugëtimi deri në arritjen e Kosovës si shtet i pavarur që është sot”, u shpreh ai, transmeton Klankosova.tv.

Ramajli tregon ndër të tjera sfidat që i patën delegatët e atëhershëm në shpalljen e Kushtetutës.

“Gjëja më e rëndësishme ishte se faktori shqiptar në Kosovë në vitin 89-90’, ishte homogjonizuar plotësisht. Përkundër faktit që Serbia pas 5 shtatorit i kishte suspenduar organet qendrore të Kosovës atëherë, dhe përkundër faktit që i kishte larguar nga puna numër të madh të punëtorëve në administratën shtetërore, polici, dhe në administratën komunale, nëpër organizate të punës së bashkuar, shqiptarët nuk e ndalën rezistencën”.

“Element kyç për mua për mbajtjen e mbledhjes në mënyrë të fshehtë, ka qenë se edhe pse Serbia e okupoi me polici dhe ushtri, ajo nuk kishte bashkëpunëtorë. Të gjitha rrjetet e bashkëpunëtorëve që do ta informonin policinë, për kuptimin tim ishin ndërprerë”, u shpreh ai.

The post “Shqiptarët s’e ndalen rezistencën” – Sfidat e shpalljes së Kushtetutës që ndau Kosovën prej Serbisë appeared first on Klan Kosova.