Shqipëria vendos “tjetër gur kilometrik” për anëtarësim në BE më 16 shtator

news image

Shqipëria do të hapë katër kapituj të rinj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 16 shtator, në një takim të thirrur nga Presidenca daneze e BE-së. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një njoftimi në ‘Facebook’.

Sipas Ramës, hapja e këtyre kapitujve do të zhvillohet në praninë e ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Katër kapitujt e rinj i shtohen 24 kapitujve të hapur më parë, duke e çuar në 28 numrin total të kapitujve të hapur brenda vetëm 11 muajve – ritëm që kryeministri e cilësoi si “rekord absolut” në procesin e negociatave.

Kapitujt e rinj përfshijnë fusha të Agjendës së Gjelbër dhe Ndërlidhjes së Qëndrueshme, që lidhen me sektorë jetikë si transporti, energjia, rrjetet transevropiane dhe mjedisi.

“U vendos edhe një tjetër gur kilometrik në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE”, u shpreh Rama.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/