Shqipëria triumfon ndaj Jordanisë në “Air Albania”

news image

Në një ndeshje miqësore të zhvilluar në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, Shqipëria ka arritur të sigurojë fitore bindëse 4:2 ndaj Jordanisë, duke treguar lojë sulmuese dhe karakter të fortë, pas triumfit të madh kundër Serbisë disa ditë më parë.

Kjo përballje shërbeu si test i rëndësishëm për kuqezinjtë përballë një ekipi që tashmë ka siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026 dhe dha shumë sinjale pozitive për Sylvinhon dhe tifozët.

Jordania kaloi e para në epërsi në minutën e 27-të me golin e Nizar Al Rashdan, por Shqipëria reagoi shpejt. Pesë minuta para fundit të pjesës së parë, autogoli i Mo Abualnadi i dha kuqezinjve barazimin 1-1, duke rikthyer besimin në skuadër dhe entuziazmin në tribuna.

Pjesa e dytë foli tërësisht për Shqipërinë. Sulmuesi Armando Broja u inkuadrua në minutën e 61-të dhe vetëm katër minuta më vonë shënoi golin e epërsisë 2-1, pas një asistimi të shkëlqyer nga Nedim Bajrami.

Në minutën e 75-të, Arbër Hoxha realizoi një supergol spektakolar nga mbi 20 metra, duke e çuar rezultatin në 3-1 dhe duke dëshmuar aftësitë e tij teknike. Vetëm katër minuta më pas, Nedim Bajrami vulosi fitoren me golin e katërt, pas një tjetër asistimi të Brojës.

Në minutat e fundit, Ali Olwan shënoi për Jordaninë, duke vendosur rezultatin përfundimtar 4:2 në favor të Shqipërisë.

Kjo fitore konfirmon formën e mirë të kuqezinjve dhe aftësinë e tyre për të reaguar me forcë ndaj çdo sfide, duke i dhënë Sylvinhos shumë optimizëm për ndeshjet e ardhshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/