Në ditën e tij të parë në detyrë, ministri i punëve të jashtme, Ferit Hoxha, ka mbledhur shtabin e posaçëm dhe ekipin drejtues, në lidhje me situatën në vendet e lindjes së mesme.
Siç ka shkruar në “X”, në fokus të diskutimeve kanë qenë problematikat dhe nevojat e qytetarëve shqiptarë, si ata rezidentë ashtu edhe ata me qëndrim të përkohshëm në këto vende.
“Shtabi i posaçëm i ngritur në ministrinë për evropën dhe punët e jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, të cilat i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin profesional, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë”, thekson ministri.
“Strukturat e shërbimit të jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t’iu përgjigjur çdo situate emergjente. siguria dhe mirëqenia e shtetasve tanë mbeten përparësi absolute”, përfundon Hoxha.
Ai ka theksuar se për dikë që ka shërbyer me devotshmëri për më shumë se tre dekada e gjysmë si nëpunës publik dhe si pjesë e shërbimit të jashtëm, nuk ka nder më të madh sesa marrja e përgjegjësisë si ministër për evropën dhe punët e jashtme të republikës së shqipërisë, në një moment të rëndësishëm për vendin.
“Dua të falënderoj kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj për besimin që më kanë dhënë, një privilegj i madh por edhe detyrim i lartë ndaj shtetit dhe qytetarëve të shqipërisë”, ishte mesazhi i parë i Hoxhës pas marrjes së detyrës.
Ai ka premtuar se do të punojë me përkushtim, përgjegjësi dhe besim në potencialin e vendit, i udhëhequr nga interesi kombëtar. eksperienca e tij e gjatë në shërbimin diplomatik, siç ka theksuar vetë, i ka dhënë mundësinë të shohë nga afër rritjen e peshës dhe besueshmërisë së shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


