Procesi i anëtarësimit në Bashkimi Evropian është një proces i gjatë, kompleks dhe që duhet ndjekur një sërë fazash e plotësuar një sërë kushtesh para se një vend të bëhet anëtar zyrtar i BE-së.
Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në këtë proces integrimit.
Së fundi, të martën Shqipëria hapi për negocim edhe disa kapituj të ri, në fushat: tranzicioni i gjelbër, mbrojtja e mjedisit, energjia e pastër, ndërlidhja e qëndrueshme e transportit, të cilat janë në qendër të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe prioriteteve strategjike të BE-së.
Me hapjen e katër kapitujve të ri, tashmë Shqipëria ka çuar në 28 numrin e kapitujve të hapur, nga 33 sa janë.
Një vend fillon procesin e anëtarësimit në BE kur aplikon zyrtarisht për anëtarësim në Presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian. Më pas bëhet një evaluim i kritereve të Kopenhagës (politike, ekonomike dhe aftësia e një shteti për të marrë përsipër obligimet si shtet i BE-së- acquis communautaire)
Fazat formale të anëtarësimit (të huazuara nga newunionpost.eu):
Aplikimi zyrtar për anëtarësim në BE
Vlerësimi i kritereve të Kopenhagenit
Statusi i kandidatit
Rekomandim mbi negociatat e pranimit
Korniza negociuese – Komisioni Evropian përgatit strategjinë negociuese, duke përfshirë një numër të ndryshueshëm kapitujsh negociues.
Procesi i shqyrtimit – Screening
Së bashku me kandidatin negociues, Komisioni Evropian kryen një proces të detajuar shqyrtimi të 33 kapitujve të acquis të BE-së për të përcaktuar nivelin e përgatitjes së kandidatit. Në këtë fazë evidentohet se çfarë duhet të plotësohet për të hapur dhe çfarë për të mbyllur grupkapitujt e negociatave në fusha të ndryshme.
Konferencat ndërqeveritare
Negociatat sipas secilit kapitull zhvillohen midis ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në konferenca ndërqeveritare.
Mbyllja e kapitujve të negociatave
I gjithë procesi i negociatave përfundon vetëm pasi të jetë mbyllur çdo kapitull.
Asnjë kapitull nuk mbyllet derisa çdo shtet anëtar i BE-së të miratojë progresin e kandidatit në atë fushë politike. Çdo kapitull mund të rihapet, nëse Komisioni Evropian mendon se kandidati nuk i plotëson kushtet.
Traktati i Anëtarësimit
Pasi të përfundojnë negociatat, Komisioni Evropian jep mendimin e tij nëse kandidati është gati të bëhet Shtet Anëtar.
Bazuar në opinionin pozitiv të Komisionit Evropian, përgatitet Traktati i Anëtarësimit. Ky dokument përshkruan kushtet dhe afatet e hollësishme të anëtarësimit në BE, duke përfshirë rregullimet kalimtare, afatet, rregullimet financiare dhe çdo klauzolë mbrojtëse.
Miratimi, nënshkrimi dhe ratifikimi i Traktatit të Anëtarësimit
Traktati i Anëtarësimit duhet të miratohet nga Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian. Më pas nënshkruhet nga vendi kandidat dhe përfaqësuesit e të gjitha Shteteve Anëtare të BE-së.
Së fundmi, ai ratifikohet nga vendi kandidat dhe çdo Shtet Anëtar i BE-së, sipas procedurave të tyre kushtetuese.
Shqipëria hapi 28 kapituj
E në tërë këto faza, një ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një postim në Facebook tha se kanë hapur 28 kapituj për 11 muaj.
“28 kapituj negociatash të hapur në 11 muaj, rekord absolut. Mbeten edhe 5 dhe duam t’i hapim brenda këtij vit”, shkruan Rama.
Po, ku ndodhet Kosova në tërë këtë proces?
Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të 2022-së. Në këtë periudhë Presidencën e BE-së e kishte Çekia.
E së fundi, zyrtarë shtetërorë kanë kërkuar që Kosova të merr pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat në BE.
Ditë më parë, zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi joformal të ministrave për çështje evropiane të organizuar në Kopenhagë, theksoi se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e reformave dhe avancim të konsiderueshëm viteve të fundit.
Ai gjatë takimit me temë “Kriteret e Kopenhagës dhe integrimi gradual”, theksoi se aplikimi për anëtarësim në dhjetor 2022 është tregues i synimit dhe gatishmërisë për avancim të mëtejshëm, gjersa Kosova po zbaton Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për gati një dekadë tashmë.
Bislimi nënvizoi se institucionet tona kanë dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, andaj dhe është e nevojshme vlerësimi i tyre në bazë të meritokracisë, duke pranuar pyetësorin dhe duke marrë statusin e vendit kandidat.
Zyrtarisht, në bazë të fazave të anëtarësimit në BE, Kosova është në pikën e parë, atë të ‘Aplikimi zyrtar për anëtarësim në BE’. /Telegrafi/