Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij, Andrii Sybiha teksa agresioni në shkallë të plotë i Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e pestë.
Në postimin e tij në rrjetin social X, Hoxha shkruan se “ripërsërita dënimin e fortë të Shqipërisë ndaj shkeljeve të vazhdueshme të ligjit ndërkombëtar dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare, përfshirë sulmet e përsëritura ndaj popullsisë civile dhe infrastrukturës kritike të Ukrainës”.
Ai thekson se Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe për përgjegjësinë, një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, dhe të ardhmen evropiane të Ukrainës.
Riafirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të thelluar më tej marrëdhëniet Shqipëri–Ukrainë përmes bashkëpunimit të ngushtë, duke avancuar rrugët tona respektive evropiane dhe duke kontribuar në paqe, stabilitet dhe siguri në të gjithë Evropën”, thekson ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha.
Nga ana e tij, Sybiha ka vlerësuar raportet me dy vendet dhe mbështetjen që Shqipëria ka dhënë dhe jep për Ukrainën.
“Dëshiroj të ripohoj se Ukraina vlerëson shumë marrëdhëniet miqësore dhe konstruktive me vendin tuaj të madh. Dhe jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të vendit tuaj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Gjithashtu, shpreh mirënjohjen time personale ndaj jush për mbështetjen tuaj të fortë dhe të vazhdueshme për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë anëtarësimit jo të përhershëm të Shqipërisë.
Dëshiroj të vërej gjithashtu dinamikën e cilësisë reciproke politike të dialogut tonë politik midis Ukrainës dhe Shqipërisë”, tha Sybiha në bisedën e tij telefonike me ministrin Hoxha.
Ndërkaq, Hoxha u përgjigj më tej se “ne jemi në solidaritet total, të plotë dhe të palëkundur me Ukrainën, për sovranitetin e Ukrainës, integritetin territorial, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, dhe për luftën për liri që Ukraina po zhvillon për veten, për vendin, për shoqërinë, por edhe për të gjithë Evropën”, ndërsa shtoi se Shqipëria mbështe çdo përpjekje për paqe dhe se ajo “duhet të jetë për një paqe të drejtë, për një paqe që respekton të drejtën e zgjedhjes së Ukrainës dhe të popullit të saj. Duhet të jetë një paqe e drejtë dhe, natyrisht, duhet të koordinohet me partnerët, kryesisht Shtetet e Bashkuara.”
Hoxha thekson më tej se Rusia është agresori dhe Ukraina viktima. Ai i bën të ditur homologut ukrainas se Shqipëria nuk do ta ndryshojë këtë pozicion.
“Ukraina është viktima, Rusia është agresori. Ne kurrë nuk do ta ndryshojmë këtë pozicion. Dhe ne jemi për përgjegjësi të plotë për gjithçka që Rusia i ka shkaktuar Ukrainës gjatë katër viteve të fundit”, nënvizoi Hoxha, ndërsa e ka ftoi ministrin Sybiha për vizitë në vendin tonë në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm Ukrainë–Evropa Juglindore që organizohet në qershor në Tiranë.
“Gjithashtu dua të theksoj se do të jem më shumë se i lumtur të pres takimin ministerial Ukrainë-Evropa Juglindore në Shqipëri, në Tiranë, në qershor. Dhe e pres me shumë padurim”, ka përfunduar bisedën e tij telefonike ministri Hoxha me kolegun ukrainas, Sybiha.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


