Shpresë e re për trajtimin e sterilitetit mashkullor me një ilaç të përdorur prej dekadash

Shpresë e re për trajtimin e sterilitetit mashkullor me një ilaç të përdorur prej dekadash

Një ilaç disa dekada i vjetër kundër akneve, mund të ndihmojë burrat që përballen me infertilitet të prodhojnë spermatozoidë të lëvizshëm

Akutan është një ilaç që përdoret kundër akneve dhe sipas studimeve mund të përdoret për trajtimin e infertilitetit mashkullor, sugjeron një studim.


Për burrat që përballen me infertilitet të shkaktuar nga një numër jashtëzakonisht i ulët ose mungesë e plotë e spermatozoidëve, opsioni i vetëm mjekësor është operacioni i mbledhjes së spermës drejtpërdrejt nga testiset, e cila më pas përdoret për fekondim in vitro (IVF).

Një alternativë e re në kërkim

Tani, studiuesit po eksplorojnë një alternativë: izotretinoinin, i njohur më shumë si Akutan, ilaç që është përdorur për dekada në trajtimin e formave të rënda të akneve.

Ide emocionuese, por nevojiten më shumë kërkime

Në një studim të vogël të publikuar në korrik në revistën Journal of Assisted Reproduction and Genetics, ilaçi stimulojë prodhimin e spermatozoidëve tek disa burra që fillimisht nuk kishin ose kishin shumë pak spermatozoidë në ejakulat.

“Ideja që një ilaç i studiuar mirë mund të stimulojë spermatogjenezën, prodhimin e spermatozoidëve tek burrat me prodhim të dëmtuar rëndë të spermës, është emocionuese, sepse hap mundësinë e një opsioni jo-kirurgjikal për burrat që ndryshe do të kishin nevojë për nxjerrje invazive të spermës nga testiset”, tha për Live Science në një email Dr. Justin Houman, profesor i asociuar i urologjisë në qendrën mjekësore Cedars-Sinai, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, përcjell Telegrafi.

“Megjithatë, studimi është preliminar dhe kërkon përsëritje në prova më të mëdha, të randomizuara, përpara se të mund ta quajmë një përparim të vërtetë.”

Edhe Dr. Brian Levine, partner themelues dhe drejtor i CCRM Fertility of New York, i cili po ashtu nuk ishte i përfshirë në studim, shprehu optimizëm të kujdesshëm lidhur me gjetjet.

“Mundësia për t’i ndihmuar pacientët të shmangin dhimbjen, kohën e rikuperimit dhe stresin emocional nga operacioni është një burim entuziazmi të vërtetë për mua dhe kolegët e mi. Por ky nuk është ilaç për gjithçka dhe nevojiten shumë më tepër kërkime,” tha Dr. Levine.

Si mund të ndihmojë një ilaç për lëkurën në prodhimin e spermës

Studimet e mëparshme kanë treguar se burrat infertilë shpesh kanë nivele më të ulëta të acidit retinoik në testise. Ky molekul, derivat i vitaminës A, është i domosdoshëm për zhvillimin normal të spermatozoidëve. Ai kontrollon zhvillimin e qelizave germinale të papjekura në spermatozoidë të pjekur dhe lehtëson lirimin e tyre në tubulat seminifere brenda testiseve.

Kjo lidhje i shtyu shkencëtarët të testojnë izotretinoinin, një përbërje që imiton acidin retinoik natyror, si një mënyrë të mundshme për të nxitur prodhimin e spermës.

Në këtë studim, studiuesit përfshinë 26 burra me azoospermi jo-obstruktive, një gjendje ku nuk ka spermatozoidë në ejakulat për shkak të problemeve me prodhimin e spermës dhe katër burra me kriptozoospermi, ku në ejakulat gjendet një numër jashtëzakonisht i vogël spermatozoidësh.

Të gjithë pjesëmarrësit morën 20 miligramë izotretinoin dy herë në ditë për të paktën gjashtë muaj. Vlerat e tyre të gjakut, nivelet hormonale dhe sperma u monitoruan me kujdes në disa intervale kohore gjatë studimit.

Nga 30 burrat e studimit, 11 filluan të prodhonin spermatozoidë që lëviznin në mënyrë efektive në ejakulat e tyre. Kjo u mundësoi atyre dhe partnereve të tyre të nisnin procedurat e IVF-së pa qenë e nevojshme mbledhja kirurgjikale e spermës. Ky grup përfshinte të katër burrat me kriptozoospermi dhe shtatë burra që më parë nuk kishin asnjë spermatozoid në ejakulat.

Për burrat e tjerë që ende nuk kishin spermë në ejakulat pas trajtimit, mjekët duhej të përdornin ndërhyrje kirurgjikale për të mbledhur spermë për IVF. Por pas izotretinoinit, procedura zgjati shumë më pak, mesatarisht 63 minuta krahasuar me 105 minuta para trajtimit.

Në kohën e publikimit të studimit, ishin kryer nëntë cikle IVF me spermë të mbledhur pas trajtimit me izotretinoin, duke rezultuar në disa embrione të shëndetshme, disa shtatzëni në vazhdim dhe një fëmijë të gjallë të lindur deri më tani, raportuan studiuesit.

Efektet anësore – lëkura e thatë

Megjithatë, trajtimi nuk ishte pa efekte të padëshiruara.

Të gjithë 30 burrat zhvilluan lëkurë të thatë dhe buzë të çara, ndërsa rreth gjysma raportuan se ndiheshin të irrituar pas trajtimit.

Disa patën skuqje dhe rritje të nivelit të kolesterolit dhe triglicerideve.

“Meqë izotretinoini mund të ndikojë në këto nivele dhe në funksionin e mëlçisë, pacientët duhet t’i nënshtrohen analizave të rregullta të gjakut gjatë trajtimit”, tha Houman.

Kur njerëzit marrin Akutan për akne, mjekët rekomandojnë analiza periodike gjaku, megjithëse nuk ka pajtim se sa shpesh duhet të bëhen këto teste.

“Është e rëndësishme të theksohet se ende nuk e dimë dozën optimale, kohëzgjatjen apo sigurinë afatgjatë të izotretinoinit tek burrat që synojnë të arrijnë pjellori. Një tjetër mangësi është se normat e përgjigjes nuk dihen dhe shumë burra mund të mos përfitojnë fare”, tha Houman.

Nevojiten më shumë studime

Sipas tij, derisa të dhënat nga studime më të mëdha të jenë të disponueshme, izotretinoini nuk duhet të përdoret për trajtimin e infertilitetit mashkullor jashtë provave klinike.

Për gratë, izotretinoini mund të merret në mënyrë të sigurt jashtë shtatzënisë, por gjatë shtatzënisë konsiderohet shumë i rrezikshëm pasi mund të shkaktojë defekte të rënda kongjenitale.

“Tek burrat situata është ndryshe,” tha Houman.

Duket se ilaçi nuk dëmton ADN-në e spermatozoidëve dhe as nuk përbën rrezik për partneret riprodhuese ose për fëmijët e konceptuar me të.

“Madje, ky studim i ri sugjeron se mund të ketë një përfitim paradoksal duke përmirësuar prodhimin e spermës tek disa burra. Kjo tregon kontekste shumë të ndryshme biologjike midis sistemit riprodhues mashkullor dhe atij femëror”, përfundoi Houman.

Studiuesit shpresojnë që në të ardhmen të zbulojnë se cilët pacientë meshkuj me infertilitet përfitojnë më shumë nga izotretinoini, si të përcaktohet saktë koha dhe doza e trajtimit dhe nëse ilaçi mund të përmirësojë cilësinë e spermës dhe rezultatet e pjellorisë. /Telegrafi/