Shpella e Gadimes, thesar i veçantë turistik dhe natyror i Kosovës – a mund të promovohet më shumë?

A shihni vija të drejta apo të lakuara në imazh?

Vetëm 30 minuta larg Prishtinës, në fshatin Gadime e Ulët të Komunës së Lipjanit, ndodhet një nga mrekullitë më të veçanta të natyrës që kemi në Kosovë – Shpella e Gadimes.

Një monument i natyrës me rëndësi të veçantë, që prej dekadash është atraksion i njohur turistik, por që shpesh më duket sikur nuk e ka marrë ende vëmendjen dhe promovimin që meriton.

Shpella u zbulua rastësisht në vitin 1967 nga një banor lokal, Ahmet Asllani. Vetëm dy vite më pas, në vitin 1969, ajo u vu nën mbrojtje ligjore, ndërsa për vizitorë u hap në vitin 1976.

Sipas Agjencisë së Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit (AKMM), ajo ka një sipërfaqe prej 38.6 hektarësh dhe përveç madhështisë natyrore, është edhe një raritet shkencor me përmasa botërore.

Ajo që e bën Shpellën e Gadimes unike janë aragonitet – kristale të rralla që krijojnë forma të jashtëzakonshme në Galerinë e Aragoniteve.

Shpella nga brenda

Këto stoli shpellore, të cilat shfaqen me drejtime dhe ngjyresa të ndryshme, e bëjnë vendin jo vetëm tërheqës për vizitorë, por edhe një “laborator natyror” për studiuesit.

Shpella është e pasur me të gjitha llojet e ujërave nëntokësore: të kondensuar, pikues, rrjedhës dhe qëndrues sipas informatave zyrtare nga AKMM.

Për mua, kjo e bën Shpellën e Gadimes një fenomen karstik unik, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Por përtej këtyre fakteve, mbetet një pyetje e thjeshtë: a po e shfrytëzojmë sa duhet këtë pasuri që kemi?

Shpella sot është e vetmja në Kosovë e përgatitur për vizitorë. Çmimi i hyrjes është simbolik – vetëm 2 euro për të rriturit (mosha mbi 6 vjeç). Është një destinacion i përsosur për nxënësit, studentët dhe familjet që duan një fundjavë ndryshe, por edhe për turistët ndërkombëtarë që vizitojnë Kosovën.

Shpella nga brenda

Megjithatë, ajo që mungon ende janë investimet në infrastrukturë dhe hapësirat përreth. Me pak më shumë kujdes e promovim, Gadimja mund të bëhet një nga atraksionet turistike të vendit. Ajo mund të hyjë në itineraret turistike rajonale dhe të vizitohet nga qindra mijëra vizitorë çdo vit – ashtu siç ndodh me shpella të ngjashme në vende tjera të Evropës.

Mendoj se është koha që Shpella e Gadimes të shihet jo vetëm si një destinacion lokal, por si një brand kombëtar i turizmit të Kosovës. Sepse në fund të fundit, ajo është një thesar i natyrës që kemi shumë afër nesh – dhe që ia vlen ta ruajmë, ta vizitojmë dhe ta promovojmë më shumë./Telegrafi/.