Në kuadër të operacionit të koduar “Stolen line”, janë shpallur në kërkim dy shtetas që dyshohen për trafikimin e automjeteve luksoze të vjedhura.
Të dyshuarit, të identifikuar me inicialet G. L. dhe S. Sh., 55 vjeç, akuzohen se kontrabanduan makina të vjedhura nga shtetet e tjera në Shqipëri.
Një automjet tip “Audi”, me vlerë rreth 50 mijë euro, u sekuestrua nga policia, pasi u konfirmua i vjedhur nga Sllovakia. Një tjetër automjet, tip “Seat Cupra”, u sekuestrua, pasi u konfirmua i vjedhur në Itali.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, kryer në vijim të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.
Në vijim të veprimeve procedurale, u sekuestrua 1 automjet tip “Audi”, me vlerë rreth 50 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Sllovaki. Në lidhje me këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi që dyshohet se ka sjellë automjetin, në Shqipëri, me qëllim shitjen, S. Sh., 55 vjeç.
-Ndërkaq, dje, në kuadër të operacionit “Stolen line”, u sekuestrua 1 automjet tip “Seat Cupra”, me vlerë rreth 40 000, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Itali. Në lidhje me këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi që dyshohet se ka sjellë automjetin, në Shqipëri, me qëllim shitjen, G. L.
Punohet për kapjen e të dy shtetasve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


