Shkupi pa fat në Strumicë, humb me rezultat minimal dhe mbetet ende pa pikë

Shkupi pa fat në Strumicë, humb me rezultat minimal dhe mbetet ende pa pikë

Në kuadër të javës së pestë të Ligës së Parë të Maqedonisë, në Strumicë u zhvillua “derbi i fundit të tabelës” mes Brera Strumicës dhe Shkupit, ku vendasit arritën të fitojnë minimalisht 1-0, edhe pse mysafirët nga Çairi treguan lojë më të organizuar dhe patën raste të pastra për gol, njofton Telegrafi.

Takimi nisi me ritëm më të mirë nga Shkupi, i cili krijoi dy mundësi në minutat e para, ndërsa në vazhdim arriti të tundë edhe rrjetën me anë të kapitenit Muarem. Mirëpo, goli u anulua pas rishikimit nga VAR për pozitë jashtë loje, duke ua humbur mysafirëve një epërsi të merituar.


Shkupi nuk u ndal me kaq, duke zhvilluar disa aksione të rrezikshme edhe në fundin e pjesës së parë, ndërsa edhe në pjesën e dytë pati shanset e veta – sidomos në minutën e 69-të, kur topi nuk arriti deri te kapiteni dhe përfundoi jashtë kuadratit. Çairasit në asnjë moment nuk e lanë përshtypjen e një rivali të dorëzuar, përkundrazi, kontrolluan mirë lojën dhe e mbajtën Brerën larg portës në shumë raste.

Megjithatë, fati nuk ishte në anën e Shkupit. Në minutën e 85-të, pas një aksioni të shpejtë të vendasve, i riu Kiril Stojanov arriti të realizojë golin e vetëm të takimit, i cili pas verifikimit të VAR-it u pranua si i rregullt.

Kështu, Shkupi mbetet ende pa fitore këtë edicion, edhe pse në Strumicë e dëshmoi se ka cilësi dhe meritonte të paktën një pikë. Mundësinë për të marrë pikët e para do ta ketë në javën e ardhshme kur do të udhëtojë në Kavadar përballë Tikveshit.

Në duelet tjera të javës së pestë, Sileksi vazhdoi serinë e fitoreve duke mposhtur Rabotniçkin 3:1, ky ishte edhe goli i parë i pranuar nga Sileksi pas pesë javësh. Dje Shkëndija triumfoi 2:1 ndaj Bashkimit, ndërsa Vardari fitoi minimalisht 1:0 ndaj Makedonija Gj.P. Java e pestë do të mbyllet nesër me ndeshjet Struga – Tikveshi dhe Pelisteri – Arsimi. /Telegrafi/