Shkupi nga kriza në krizë, do ti paguajë 43 mijë euro ish-trajnerit Alparslan

Shkupi nga kriza në krizë, do ti paguajë 43 mijë euro ish-trajnerit Alparslan

Dhoma e FIFA-s për Statusin e Lojtarëve ka marrë vendim në rastin e padisë së trajnerit turk Erdem Alparslan kundër FC Shkupit, duke e pranuar pjesërisht kërkesën e tij, njofton Telegrafi.

Sipas vendimit, klubi nga Çairi obligohet t’i paguajë 10,136.49 euro si pagë të papaguara, bashkë me interes vjetor prej 5% të llogaritur për çdo shumë dhe periudhë vonese:


1,136 euro që nga 16 prilli 2025

3,000 euro që nga 16 maji 2025

3,000 euro që nga 16 qershori 2025

3,000 euro që nga 6 korriku 2025

Deri në ditën e shlyerjes së plotë. Përveç kësaj, klubi është i detyruar të paguajë 33,000 euro si kompensim për prishjen e parakohshme të kontratës, me interes ligjor prej 5% në vit, i cili fillon të llogaritet nga muaji korrik 2025 (data e saktë do të specifikohet në vendimin e plotë).

Nëse FC Shkupi nuk e shlyen detyrimin (përfshirë edhe interesat ligjore) brenda 45 ditëve nga marrja e këtij vendimi:

Klubi do të suspendohet nga regjistrimi i lojtarëve të rinj, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, derisa borxhi të paguhet. Ndalimi i transferimeve mund të zgjasë deri në tre afate regjistrimi të njëpasnjëshme.

Nëse edhe pas skadimit të këtyre tre afateve pagesa nuk kryhet, çështja do të dërgohet në Komisionin Disiplinor të FIFA-s, me kërkesë të paditësit.

Pasojat aktivizohen vetëm nëse trajneri Erdem Alparslan i drejtohet FIFA-s me kërkesë zyrtare, në përputhje me rregulloren për Statusin dhe Transferimin e Lojtarëve. /Telegrafi/