Shkupi kthehet në Çair, “Shvercerat” shpërthejnë ndaj kryesisë e trajnerit

Shkupi kthehet në Çair, “Shvercerat” shpërthejnë ndaj kryesisë e trajnerit

Futbollistët e Shkupit për herë të parë këtë sezon zhvilluan ndeshje në stadiumin e tyre “Çair”, pas problemeve me teknologjinë VAR. Mirëpo, edhe rikthimi në shtëpi nuk solli ndryshim , skuadra pësoi humbjen e shtatë radhazi, duke mbetur pa pikë pas shtatë xhirove, njfton Telegrafi.

Maqedonia Gj. P. e shfrytëzoi krizën e vendasve dhe me golat e Clinton Oseit dhe Simeon Hristovit mori tri pikët në Çair, duke thelluar edhe më shumë krizën e rivalit. Pas përfundimit të ndeshjes, grupi i tifozëve “Shvercerat” i thirrën futbollistët para tribunës së tyre dhe i detyruan t’i heqin fanellat, duke theksuar se nuk e meritojnë t’i mbajnë ato.


Në një komunikatë të publikuar, “Shvercerat” kanë hedhur akuza të ashpra ndaj kryesisë dhe trajnerit, duke thënë se kriza e rëndë ishte paralajmëruar muaj më parë. Ata i akuzojnë drejtuesit për gënjeshtra, menaxhim të dobët dhe thellim të krizës financiare.

Hidhërim në vend të festës!
Që nga ardhja e këtij sponsori sezonin e kaluar, klubi po përballet me krizë, e cila çdo ditë thellohet më shumë. Lojtarët dhe stafi nuk kanë marrë paga që nga janari, pavarësisht premtimeve të kryesisë. Jo rastësisht futbollistë cilësorë ikën dhe në vend të tyre erdhën lojtarë pa perspektivë.
Ne e dimë që lojtarët kanë më së paku faj. Faji është i presidentit Jasin Konjali, që nuk vjen asnjëherë fizikisht në shtet për të përballuar krizën, si dhe i trajnerit Ümit Shahin, i cili para nesh hesht, por para lojtarëve sillet si ‘kabadahi’. Për këtë arsye para sezonit kërkuam largimin e tij, por presidenti na gënjeu sërish. Rezultati sot: 7 ndeshje, 0 pikë.
Zhveshja e fanellave ishte mesazh për sponsorin dhe trajnerin – nuk janë të mirëseardhur në klubin tonë. Kur trajneri të largohet, fanellat do të kthehen.
Ne kemi luftuar 36 vite për këtë klub dhe do të vazhdojmë deri në frymën e fundit për ta pastruar nga strukturat kancerogjene.”

Në prag të sezonit nuk dihej as nëse Shkupi do të kishte fonde për ta çuar deri në fund kampionatin. Pas shumë problemeve, klubi arriti të regjistrojë disa përforcime, por një pjesë e tyre shpejt u larguan. /Telegrafi/