Java e 7-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut: Duelet shqiptare në qendër të vëmendjes, me Shkupin që rikthehet në Çair për herë të parë këtë sezon, ndërsa Struga luan derbin e javës ndaj Sileksit në Kratovë. Njofton Telegrafi
Pas shumë pritjesh, FC Shkupi më në fund do ta zhvillojë ndeshjen e parë si vendas në stadiumin e vet në Çair. Klubi konfirmoi se çështjet rreth terrenit janë zgjidhur dhe të shtunën (20 shtator, ora 15:30) do të mirëpresë Makedonija Gj.P. Për skuadrën nga Çairi kjo është mundësi e artë për të marrë pikët e para të sezonit, duke qenë se deri tani ende nuk ka arritur të gëzojë një sukses.
Një tjetër sfidë e fortë është ajo e Strugës, që të dielën (22 shtator, ora 15:30) do të udhëtojë në Kratovë për t’u përballur me Sileksin në një derbi interesant për kreun e tabelës. Struga e Bledi Shkëmbit po kërkon të vazhdojë formën pozitive dhe të ruajë pozitën e pare në renditje.
Ndërkohë, kampioni aktual Shkëndija të shtunën (21 shtator, ora 15:30) në Tetovë do të përballet me Tikveshin. Kuqezinjtë synojnë fitore për të forcuar pozitat në krye dhe për të mbajtur ritmin e lartë të rezultateve.
Bashkimi nga Kumanova, pas triumfit ndaj Sileksit javën e kaluar, këtë herë do të provojë të marrë vazhdimësi edhe në udhëtim, ku të hënën (23 shtator, ora 15:30) viziton Pelisterin në Manastir.
Nga ana tjetër, skuadra e Arsimit, që ka pasur një “nxehtë-ftohtë” këtë sezon, do të kërkojë këndelljen në Strumicë, aty ku të dielën (22 shtator, ora 15:30) luan kundër AP Brera-s. /Telegrafi/
Programi i plotë i javës së 7-të:
20.09 | 15:30 – Shkupi vs Makedonija Gj.P
21.09 | 15:30 – Shkëndija vs Tikveshi
21.09 | 19:00 – Vardari vs Rabotniçki
22.09 | 15:30 – AP Brera vs Arsimi
22.09 | 15:30 – Sileksi vs Struga
23.09 | 15:30 – Pelisteri vs Bashkimi