“Çfarë liderësh duan shqiptarët”, është tema e diskutimit të sotëm, në Rubikon të Klan Kosovës.
Opinionisti, Armand Shkullaku ka deklaruar se periudha më e keqe e kohës së diktaturës së Enver Hoxhës në Shqipëri, ishte ajo që përkoi me revolucionin kulturor kinez, që përveç izolimit fizik shqiptarët ishin në izolim mendor.
Sipas Shkullakut, shpëlarja e trurit i dha jetëgjatësi në pushtet Hoxhës.
“Enver Hoxha ishte zot, kjo erdhi për shkak të propagandës, të eliminimit të çdo faktori iluminues në shoqëri, izolimit total jo vetëm fizik por edhe mendor. Periudha më e keqe ishte ajo që përkoi me revolucionin kulturor kinez, pra periudha e lidhjes me Kinën ku u morën metodat më gjakësore. Gjithçka ishte bërë një lavazh truri që prodhoi jetëgjatësinë e Enver Hoxhës dhe prodhoi një shoqëri që në vitet e `90-ta u gjet e pa përgatitur”, tha ai.
Shkullaku theksoi se metodat e njëjta sikurse të Enver Hoxhës, i përdori edhe Sali Berisha kur e mori pushtetin, duke filluar me eliminimin e kundërshtarëve brenda partisë.
“Dhe në një shoqëri të papërgatitur, për çdo lider që vjen është më e lehtë të kalërohet. Kjo ndodhi me Sali Berishën kur erdhi në pushtet, po ta shikojmë pak a shumë ishin të njëjtat metoda që përdori kur mori mandatin e parë si president i vendit. Gjëja e parë ishte eliminimi i kundërshtarëve brenda partisë, pra u përjashtua një grup i madh intelektualësh që ishin themelues të Partisë Demokratike. Pastaj burgosja e kryetarit të opozitës, Fatos Nano. Represioni ndaj shtypit, burgosja, izolimi i gazetarëve. Të gjitha metodat tipike të regjimit autoritarist”, tha Shkullaku në Rubikon. /Klankosova.tv
The post Shkullaku: Sali Berisha përdori metodat e Enver Hoxhës kur erdhi në pushtet (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.