Shkrimtari palestinez ndërron jetë nga kequshqyerja në Gaza – gjatë luftës humbi të paktën 26 anëtarë të familjes

news image

Akademiku palestinez, shkrimtari dhe poeti Omar Harb ka ndërruar jetë si pasojë e kequshqyerjes, shkaktuar nga bllokada disa mujore izraelite në Rripin e Gazës.

Shëndeti i tij u përkeqësua gjatë javëve të fundit, raportuan mediat lokale.

Harb humbi gjatë luftës të paktën 26 anëtarë të familjes, përfshirë bashkëshorten, fëmijët dhe nipërit e mbesat. Para tetorit 2023, ai peshonte rreth 120 kilogramë, ndërsa në intervistën e fundit për Al Jazeera, dhënë tre javë para vdekjes, pesha e tij ishte më pak se 40 kilogramë.

Ai përshkroi vuajtjet e tij, duke kërkuar ushqim, ilaçe dhe ndihmë mjekësore që nuk i mori, si dhe një karrocë për personat me aftësi të kufizuara.

“Kam parë fotografitë e mia para dhe pas dhe mendova ‘është e pamundur që kjo të jetë e njëjta person’. Nuk e dimë më pse kemi arritur në këtë pikë. Njerëzit po vuajnë, dhe askush nuk i kushton vëmendje kësaj vuajtjeje”, tha Harb në intervistë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njofton se 1.9 milion njerëz vuajnë nga kequshqyerja, ndërsa mbi 640 mijë persona përballen me urinë më ekstreme. Në fund të gushtit, OKB shpalli zyrtarisht gjendjen e urisë në enklavë.

Harb, i diplomuar në universitetin Al-Azhar në Egjipt dhe me kualifikime në psikologji, ishte aktiv në fushën e tij deri në fillimin e sulmeve izraelite në Gaza, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme kulturore dhe humanitare.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/