Policia ka zhvilluar një sërë operacionesh antikanabis në zonat malore të qarkut Shkodër, ku janë asgjësuar në total 9,317 bimë narkotike kanabis sativa. Aksionet janë mbështetur nga vëzhgime ajrore me helikopterë dhe dronë, për të identifikuar parcelat e kultivuara në terrene të thella dhe të vështira.
Në njësitë administrative Shosh dhe Pult u gjetën dhe asgjësuan 4,403 bimë kanabisi, ndërkohë që kryeplaku i fshatit Ndreaj është vënë në hetim për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka lejuar kultivimin e paligjshëm në territorin që administrohej prej tij.
Në njësitë Kastrat dhe Qendër, u asgjësuan rreth 300 bimë të dyshuara si kanabis, ndërsa pjesa tjetër u zbulua në zonat Shllak, Temal dhe Fierzë.
Po ashtu, një 52-vjeçar nga fshati Kamicë është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kishte kultivuar bimë narkotike në ambientet e banesës së tij.
Operacionet janë pjesë e planit të gjerë të Policisë së Shtetit për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, me fokus të veçantë në zonat e thella malore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!