Dita e sotme solli dy histori të ndryshme, të cilat së shpejti do të lidhen në arenën evropiane. Në La Liga, Rayo Vallecano, rivali i parë i Shkëndijës në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës ka pësuar disfatë nga Sevilla, njofton Telegrafi.
Andaluzianët u treguan cinikë, pas shumë rasteve të humbura nga vendasit, ata goditën në minutën e 87-të me golin e nigerianit Akor Adams, të asistuar nga Jose Carmona. Me këtë fitore, Sevilla ngjitet në vendin e tetë të tabelës me 10 pikë.
Në anën tjetër, Shkëndija sot tregoi fuqinë e saj në kampionatin vendor, duke mposhtur Sileksin me rezultat 2-0. Me këtë triumf, kuqezinjtë të paktën përkohësisht janë ngjitur në kreun e renditjes së LPM-së, duke dëshmuar formën e lartë që po kalojnë.
Pra, derisa Rayo Vallecano nuk po arrin të gjejë rrugën e rezultateve pozitive në La Liga, Shkëndija po shfaqet në formë të lartë, duke udhëtuar në Madrid javën e ardhshme me moral të fortë dhe me besim se mund të rivalizojë denjësisht në arenën evropiane. /Telegrafi/