Kuqezinjtë nga Tetova nesër sfidojnë Rayo Vallecanon në “Campo de Fútbol de Vallecas”, në një përballje që shënon kapitullin më të rëndësishëm në historinë e klubit, njofton Teegrafi.
Shkëndija e Tetovës nesër hap një kapitull të ri dhe historik në futbollin e Maqedonisë, duke debutuar për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Kuqezinjtë nga Tetova udhëtojnë në Madrid, aty ku i pret një kundërshtar i njohur i La Ligas, Rayo Vallecano. Për Shkëndijën kjo ndeshje është më shumë se një sfidë sportive, është moment krenarie dhe dëshmie se ëndrrat mund të bëhen realitet.
Trajneri Jeton Beqiri në konferencën për media theksoi se ky duel ka një peshë të jashtëzakonshme për klubin, jo vetëm për faktin se është debutimi historik, por edhe sepse përballë është një skuadër nga një kampionat elitë si La Liga. Ai u shpreh se Rayo Vallecano është favorit në letër, por Shkëndija do të mundohet të japë maksimumin për të qenë një kundërshtar dinjitoz, duke respektuar fanellën, klubin dhe tifozët që e ndjekin.
“Për ne është e rëndësishme që të respektojmë fanellën që bartim, të respektojmë klubin dhe të mundohemi të bëjmë maksimumin e mundshëm dhe shpresoj të bëjmë një paraqitje të mirë këtu në Madrid. Mendoj se Rayo është favorit në letër sa i përket ndeshjes së nesërme, kurse neve na mbetet që të jemi një kundërshtarë i denjë që mundohet të bëjë maksimumin”, tha Beqiri.
Në të njëjtën linjë foli edhe kapiteni Besart Ibraimi, i cili nënvizoi se për futbollistët e Shkëndijës kjo është një ndeshje historike, një përvojë unike dhe një mundësi për të matur forcat me emra që deri më tani i kanë parë vetëm në përballje me Barcelonan apo Real Madridin.
“E dimë që luajmë kundër një kundërshtari të fortë dhe favorit, por në futboll nuk fiton gjithmonë më i miri. Ne do të dalim në fushë për të dhënë gjithçka dhe për të bërë krenar klubin dhe tifozët”, tha Ibraimi.
Dueli mes Rayo Vallecanos dhe Shkëndijës luhet në stadiumin “Campo de Fútbol de Vallecas”, me kapacitet prej rreth 14.700 vendesh, një arenë që njihet për atmosferën elektrizuese të tifozëve madrilenë. Për Shkëndijën, kjo sfidë nuk është vetëm fillimi i një aventure evropiane, por edhe një dëshmi e rrugëtimit të gjatë dhe të vështirë që e ka çuar deri në këtë nivel.
Ndeshja starton nga ora 18:45, ndërsa kuqezinjtë nga Tetova shpresojnë të lënë gjurmë që në hapin e parë të këtij rrugëtimi historik. /Telegrafi/