Shkencëtarët thonë se mikroplastika gjendet thellë në eshtrat e njeriut

news image

Mikroplastikat, grimca të vogla që vijnë nga lëndët djegëse fosile, janë bërë kaq të përhapura sa mund të thithen dhe të gëlltiten nga njerëzit çdo ditë.

Përveçse janë zbuluar në jashtëqitje, placenta, organet riprodhuese dhe madje edhe në tru, studimet e fundit tregojnë se ato mund të depërtojnë edhe thellë në eshtrat e njeriut, ka raportuar Science Alert.

Një rishikim i 62 studimeve ka nxjerrë në pah se mikroplastikat dhe nanoplastikat mund të ndikojnë në shëndetin e eshtrave në disa mënyra.

“Një pjesë mjaft e madhe e studimit ka sugjeruar se mikroplastikat mund të depërtojnë thellë në indet e eshtrave, deri në palcë, dhe potencialisht shkaktojnë probleme në metabolizëm”, tha shkencëtari mjekësor Rodrigo Bueno de Oliveira nga Universiteti Shtetëror i Kampinas në Brazil.

Studimet tek njerëzit tregojnë se mbetjet plastike grumbullohen në indet e eshtrave përmes gjakut pas gëlltitjes, ndërsa eksperimentet tek kafshët kanë treguar se ato mund të ngadalësojnë rritjen e eshtrave.

Dëmtimet në osteoklaste, qelizat që mbështesin rritjen dhe riparimin e eshtrave, mund të dobësojnë strukturën e tyre, duke i bërë më të prekshme nga deformimet dhe frakturat.

“Studimet e thella të indeve të eshtrave kanë treguar se mikroplastikat dëmtojnë qëndrueshmërinë e qelizave, përshpejtojnë plakjen dhe rrisin diferencimin e tyre, gjë që promovon inflamacionin”, shtoi Bueno de Oliveira.

Edhe pse këto efekte nuk janë konfirmuar plotësisht tek njerëzit, ekspertët paralajmërojnë se rritja globale e osteoporozës mund të lidhet edhe me praninë e mikroplastikave, përveç faktorëve të tjerë si konsumi i alkoolit dhe plakja.

Shkencëtarët theksojnë se rreziku është në rritje, pasi çdo vit prodhohen mbi 400 milionë tonë plastikë, duke gjeneruar rreth 1.8 miliardë tonë gazra serrë. Ata kërkojnë më shumë burime për të hetuar ndikimin e këtyre ndotësve në trupin e njeriut.

Ekspozimi ndaj mikroplastikave mund të ulet duke filtruar ujin e pijshëm dhe duke kufizuar përdorimin e produkteve plastike, si rrobat sintetike dhe shishet plastike.

Ky studim është publikuar në Osteoporosis International.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/