Shkenca pranë kurës për rikthimin natyral të flokëve: zbulim që mund të ndryshojë gjithçka

Shkenca pranë kurës për rikthimin natyral të flokëve: zbulim që mund të ndryshojë gjithçka

Revista dhe universitete prestigjioze raportojnë për molekula të reja që jo vetëm ngadalësojnë rënien, por rifillojnë ciklin natyral të rritjes së flokëve

Shkencëtarët janë një hap më afër trajtimeve të reja kundër tullacisë dhe alopecisë. Dy zbulime të fundit nga universitetet prestigjioze amerikane, UCLA dhe UCI, kanë hapur horizonte të reja në fushën e rikthimit të flokëve.


Në një studim të vitit 2022, Universiteti i Kalifornisë, Irvine (UCI) raporton identifikimin e molekulës SCUBE3, e cila “stimulon rritjen e flokëve duke aktivizuar qelizat staminale të folikulave” (news.uci.edu). Eksperimentet treguan se kjo molekulë riktheu aktivitetin e folikulave të fjetura jo vetëm tek minjtë, por edhe tek mostrat e lëkurës njerëzore të transplantuara.

Një vit më vonë, revista News-Medical theksonte se ky mekanizëm sinjalizimi përfaqëson një mundësi për zhvillimin e terapisë së parë që jo vetëm ngadalëson humbjen e flokëve, por “rifillon ciklin natyral të rritjes së tyre”.

Ndërkohë, në vitin 2025, një ekip nga Universiteti i Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA) shkruan për rezultatet e para inkurajuese të një molekule tjetër, të quajtur PP405 (newsroom.ucla.edu). Sipas tyre, kjo arriti të “zgjojë” folikulat e flokëve duke inaktivuar një proteinë që i mban qelizat staminale të bllokuara, dhe në testet paraprake ka nxitur rritjen e dukshme të flokëve për vetëm një javë kur është aplikuar topikisht në lëkurë njerëzore, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rezultatet janë ende në fazë laboratorike dhe klinike të hershme. ScitechDaily kujton se “çdo trajtim i ri duhet të kalojë prova të gjera dhe kontroll rigoroz për sigurinë para se të ofrohet tek pacientët”.

Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen?

Ndërsa trajtimet ekzistuese si minoksidili dhe finasteridi vetëm ngadalësojnë procesin e rënies së flokëve, këto molekula të reja përfaqësojnë një qasje krejt tjetër: reaktivizimin e folikulave të fjetura dhe rifillimin e ciklit biologjik të rritjes së flokëve.

Nëse provat klinike konfirmojnë efikasitetin dhe sigurinë e tyre, bota mjekësore mund të jetë pranë një epoke të re në trajtimin e tullacisë dhe alopecisë. /Telegrafi/