
Pas shkarkimit të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Këshilli Prokurorial i Kosovës emëroi në këtë pozitë prokurorin Agron Qalaj, vendim i cili ka hapur një sërë diskutimesh të brendshme dhe polemikash ligjore në mbledhjet e KPK-së.
Në mbledhjen e sotme të radhës, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, lexoi një letër të dërguar nga anëtari i Këshillit, Veton Shabani, i cili shprehu shqetësim për, siç tha ai, “situatën jashtë kornizave të ligjshmërisë”, e krijuar pas vendimit për shkarkimin e Kelmendit.
Në letrën e tij, Shabani theksoi se pas mbledhjes së mbajtur menjëherë pas shkarkimit të Kelmendit – vet ish-kryeprokurori i kishte njoftuar se kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, në përputhje me nenin 5 të Ligjit 06/L-057.
Sipas Shabanit, kjo ankesë prodhon efekt suspensiv, që nënkupton pezullim të zbatimit të vendimit derisa gjykata të vendosë përfundimisht.
“Prokurori Agron Çalaj nuk është dashur të marrë pjesë në atë takim, pasi ligji përcakton qartë efektin suspensiv të vendimit. Ankesa ndaj vendimit të KPK ka efekt suspensiv dhe ndalon implementimin e atij vendimi derisa shqyrtohet”, thuhet në letrën e tij.
Shabani akuzoi kryesuesin se ka lejuar pjesëmarrjen e Çalajt në kundërshtim me ligjin, duke theksuar se në mbledhje duhej ftuar Kelmendi, jo Çalaj.
Pas leximit të letrës, kryesuesi Hajdaraj tha se situata është e qartë nga aspekti procedural dhe se nuk ekziston ndonjë masë e përkohshme që pezullon vendimin e KPK-së, përcjell Telegrafi.
“Ekziston një vendim dhe nuk ekziston një masë e përkohshme. Duhet respektuar ligjshmëria dhe KPK të vazhdojë funksionimin”, deklaroi ai, duke shtuar se duhet pasur respekt si ndaj ish-kryeprokurorit Kelmendi, ashtu edhe ndaj u.d. kryeprokurorit Çalaj, i cili tashmë ka marrë detyrën.
Ai po ashtu sqaroi se shkarkimi i Kelmendit nuk lidhet me procedurë disiplinore, prandaj sipas tij, dispozitat për efektin suspensiv nuk aplikohen.
Në vazhdim, Shabani pyeti sërish kryesuesin nëse është dorëzuar ankesë nga Kelmendi dhe nëse ajo prodhon efekt suspensiv, por Hajdaraj tha se “këtë çështje e ka sqaruar në mbledhjen e kaluar”.
Në mbledhje foli edhe vet Agron Çalaj, i cili mbrojti qëndrimin se pjesëmarrja e tij është plotësisht e ligjshme.
“Sipas parimeve të së drejtës administrative, vendimi prodhon efekt të menjëhershëm. Ligji nuk parashikon asnjë formë të shtyrjes së hyrjes në fuqi të vendimeve. Ushtrimi i mandatit tim nuk kushtëzohet me asnjë procedurë ankimore”, tha ai.
Ai theksoi se në cilësinë e u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit është anëtar ex officio i KPK-së dhe se çdo kërkesë për përjashtimin e tij nga mbledhjet duhet të mbështetet në dispozita të qarta ligjore.
Derisa një vendim i tillë të merret, KPK-ja po vazhdon punën me Agron Çalajn si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit, pavarësisht kundërshtimeve të disa anëtarëve të Këshillit. /Telegrafi/


