Bota e muzikës dhe e kërcimit është tronditur nga lajmi tragjik se koreografi i njohur, Paul Roberts, ndërroi jetë më 26 shtator 2025, në moshën 52-vjeçare.
Bëhet e ditur se vuante nga kanceri prej shumë vitesh.
Familja dhe rrethi i tij i afërt konfirmuan lajmin, duke e përshkruar si një njeri të jashtëzakonshëm.
Roberts ishte një figurë e rëndësishme në industrinë e muzikës, duke punuar me disa nga grupet më të famshme të botës, përfshirë “Spice Girls” dhe “One Direction”.
Gjithashtu fitoi një MTV VMA për bashkëpunimin e tij me Harry Styles.
Familja e tij ndau një mesazh prekës në rrjetet sociale: “Më 26 shtator 2025, pas një beteje me kancerin, Pablo ndërroi jetë në shtëpi, i rrethuar nga familja”.
Mesazhe ngushëllimi vërshuan nga kolegët dhe miqtë.
Sam Smith, fitues pesë herë i “Grammy”, shkroi: “Kjo është e tmerrshme. Zemra ime është me familjen dhe miqtë e Paulit në këtë moment të vështirë. Paul ishte një dritë në këtë botë. Nuk do ta harroj kurrë mirësinë dhe shkëlqimin e tij”.
Paul Roberts dhe Harry Styles
Edhe “Spice Girls” i kushtuan një dedikim: “Ai ishte pjesë integrale e turneut tonë të vitit 2019. Kreativiteti, pasioni dhe gëzimi për jetën ishin të dukshëm gjatë gjithë shfaqjeve tona. Përveç talentit të jashtëzakonshëm, Paul ishte një person i mrekullueshëm. Ai shpërndante lumturi dhe pozitivitet. Ishim me fat ta njihnim dhe të ndajmë miqësinë përtej turneut”.
Familja dhe miqtë do të kujtojnë gjithmonë ndikimin e tij të madh në botën e muzikës dhe të kërcimit, si dhe dashurinë dhe energjinë që shpërndante gjithmonë. /Telegrafi/