Përballja me pamjet e dhunshme të luftërave si ajo mes Ukrainës dhe Rusisë, konflikti në Gaza dhe tensionet mes Iranit dhe Izraelit, që publikohen në media sociale, janë bërë një realitet i përditshëm për miliona njerëz në mbarë botën.
Në një intervistë për Klankosova.tv, psikologia Sabina Musliu ka dhënë mendimet dhe këshillat e saj mbi ndikimin psikologjik që këto imazhe mund të kenë te individët, si dhe mënyrat më të shëndetshme për të menaxhuar stresin që ato shkaktojnë.
Edhe pse vendi ynë nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në këto konflikte, sipas psikologes Musliu, shikimi i këtyre pamjeve mund të shkaktojë ndikime të thella në shëndetin mendor, duke i ekspozuar individët, sidomos ata në Kosovë, ndaj traumave të “vjetra”.
Sipas saj, ky lloj ekspozimi mund të rrisë ndjenjat e pasigurisë, duke shkaktuar gjithashtu një humbje të besimit në sigurinë personale dhe botën përreth.
Ajo ndër tjerash tregon nëse ka një lidhje mes intensitetit të shikimit të pamjeve të dhunshme dhe zhvillimit të çrregullimeve psikologjike, si Çrregullim i Stresit Post-traumatik (PTSD), depresion dhe ankth.
Për individët që përballen me këtë ngarkesë emocionale, psikologja këshilloi të kufizojnë ekspozimin ndaj këtyre përmbajtjeve dhe të përdorin mekanizma mbrojtës, si për shembull aktivitetet që qetësojnë mendjen, biseda me të tjerët, dhe kërkimin e ndihmës profesionale për të menaxhuar pasojat psikologjike.
Intervista e plotë:
Si ndikon ekspozimi i vazhdueshëm ndaj pamjeve të dhunshme të luftës në rritjen e ankthit dhe stresit te individët që nuk janë drejtpërdrejt të përfshirë në konflikt?
Kur shohim pamje të dhunshme në lajme apo rrjete sociale, truri ynë mund të reagojë sikur jemi vetë në rrezik. Edhe pse jemi larg luftës, pamjet e përsëritura mund të na bëjnë të ndihemi të tensionuar, të shqetësuar dhe të pafuqishëm. Kjo ndodh sepse truri ynë e ka të vështirë të dallojë mes rrezikut real dhe atij që shohim në ekran. Me kalimin e kohës, kjo mund të na prishë gjumin, të na vështirësojë përqendrimin dhe të na lërë me një ndjenjë ankthi të vazhdueshëm. Për ne kjo mund të jetë edhe më e ndjeshme. Shumë prej nesh kemi dëgjuar histori lufte nga prindërit apo gjyshërit, qoftë nga Kosova, Presheva apo kohët e vështira të tranzicionit në Shqipëri. Këto pamje mund të na rikujtojnë dhimbjet e vjetra dhe të na bëjnë të ndihemi sikur trauma e së kaluarës po kthehet. Është si një plagë që rihapet pa e kuptuar plotësisht.
A ka një lidhje mes intensitetit të shikimit të pamjeve të dhunshme dhe zhvillimit të çrregullimeve psikologjike, si PTSD, depresion dhe ankth?
Po, hulumtimet e fundit e konfirmojnë këtë. Kur shohim vazhdimisht dhunë të rëndë, sidomos kur ajo duket e organizuar apo e justifikuar nga politika, mund të ndihemi të tronditur thellë. Kjo mund të na bëjë të dyshojmë në botën rreth nesh, të humbasim besimin se bota është e drejtë apo e sigurt. Për disa, kjo kthehet në ankth të vazhdueshëm, depresion apo edhe simptoma që ngjajnë me PTSD, edhe pa qenë vetë në luftë. Për ne kjo ndjenjë mund të jetë edhe më e fortë. Historia jonë me luftën në Kosovë apo ngjarjet e tjera të dhimbshme na ka lënë një lloj “hije” emocionale. Kur shohim dhunë të re që ngjan me të kaluarën, ajo mund të zgjojë kujtime të vjetra dhe të na bëjë të ndihemi sikur po e rijetojmë atë dhimbje.
Si ndikon shikimi i pamjeve të dhunshme të luftës në mënyrën se si individët perceptojnë sigurinë dhe kërcënimet në jetën e përditshme?
Pamjet e dhunshme mund të na bëjnë të ndihemi sikur bota është kaotike dhe e pasigurt. Kur shohim se drejtësia, institucionet apo edhe diplomacia globale nuk po funksionojnë, fillojmë të humbasim besimin. Kjo na bën të ndihemi të pambrojtur, jo vetëm nga rreziqet fizike, por edhe nga ide më të thella ekzistenciale. Mund të fillojmë të mendojmë: “Nëse bota është kaq e pasigurt, çfarë kuptimi ka të përpiqem?” Kjo pasiguri mund të na bëjë të mbyllemi në vetvete, të humbim besimin tek të tjerët ose të ndihemi të pafuqishëm për të ndryshuar diçka. Ndërsa në përditshmëri, mund të ndihemi më të shqetësuar, më pak të sigurt dhe të humbim dëshirën për të planifikuar të ardhmen.
Si ndikon shikimi i pamjeve të dhunshme në moshat e reja? A ke raste të tilla që i trajton lidhur me këtë frikë që iu është ngulitur në kokë, sidomos moshave të reja.
Të rinjtë janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj pamjeve të dhunshme sepse mendja dhe emocionet e tyre janë ende duke u zhvilluar. Kur shohin dhunë në lajme apo rrjete sociale, mund të ndihen të frikësuar, të hutuar dhe të pashpresë. Për shembull, një adoleshent që ka dëgjuar histori për luftën në Kosovë apo ka lexuar për për Holokaustin, Srebrenicën apo Ruandën, tani po përballen me ndjesinë e tmerrshme se “historia po përsëritet”, por kësaj here para syve të tyre. Kjo mund t’i bëjë të ndihen të pashpresë, të zemëruar ose të turpëruar që nuk mund të bëjnë diçka për të ndalur dhunën.
Në praktikë, kam punuar me të rinj që kanë shfaqur jo vetëm frikë apo ankth, por ndarje të thellë brenda vetes për të kuptuar se si të jenë “njerëzorë” në një botë që duket çnjerëzore. Disa prej tyre e ndjejnë turpin që nuk mund të bëjnë më shumë, të tjerë shfaqin zemërim që përkthehet në izolim ose rebelim ndaj të rriturve që “nuk po bëjnë gjë”. Kjo është një krizë morale dhe emocionale e ndërlikuar, që normalisht kërkon përpunim të thellë psikologjik.
Për individët që ndihen të pasigurt për shkak të pamjeve të dhunshme të luftës, cilat janë disa nga mekanizmat mbrojtës që mund të përdoren për të zvogëluar efektet negative psikologjike?
Ka disa mënyra për të mbrojtur shëndetin tonë mendor kur ndihemi të mbingarkuar nga pamjet e dhunshme:
Kufizoni shikimin e lajmeve: Mundohuni të shmangni pamjet e rënda, sidomos para gjumit, që të mos ndikojnë në pushimin tuaj. Zgjidhni burime më pak grafike: Për shembull, lexoni artikuj në vend të videove tronditëse. Ndërprisni shikimin kur ndiheni keq: Nëse ndjeni ankth ose tension, ndaloni dhe merrni frymë thellë. Bëni aktivitete që iu japin qetësi: Meditimi, ecja, apo koha me miqtë mund t’iu ndihmojnë të ndiheni më në kontroll. Flisni me dikë: Biseda me miq apo familjarë mund t’iu ndihmojë të përpunoni atë që ndjeni dhe të mos ndiheni vetëm.
Lufta Rusi-Ukrainë:
Rusia nisi një luftë në shkallë të plotë kundër Ukrainës në fillim të vitit 2022, një përshkallëzim i një konflikti që filloi me aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Sulme nga forcat ruse u raportuan në qytete të mëdha në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë Berdyansk, Chernihiv, Kharkiv, Odesa, Sumy dhe kryeqytetin Kiev.
Lufta rezultoi në një krizë humanitare, pasi mijëra ukrainas u zhvendosën brenda vendit ose ikën jashtë vendit. Polonia fqinje regjistroi numrin më të lartë të kalimeve kufitare nga Ukraina, e ndjekur nga Hungaria, Rumania dhe Rusia.
Siç shkruan The Guardian, transmeton Klankosova.tv, sipas Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, më shumë se një milion trupa ruse janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Vlerësimi përputhet me një studim të kohëve të fundit nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) me seli në SHBA , e cila i vlerëson vdekjet e ushtrisë ruse në deri në 250,000 dhe viktimat totale, përfshirë të plagosurit, në mbi 950,000. Ukraina ka pësuar gjithashtu humbje shumë të larta, me midis 60,000 dhe 100,000 personel të vrarë dhe viktima totale që arrijnë në afërsisht 400,000.
Ndërsa shifrat e sakta të viktimave gjatë luftës janë të vështira për t’u verifikuar, media e pavarur ruse Mediazona ka identifikuar emrat e më shumë se 111,000 personelit ushtarak rus të vrarë , duke përdorur të dhëna zyrtare, nekrologji në mediat sociale dhe imazhe të gurëve të varreve. Media beson se numri i vërtetë i të vdekurve është dukshëm më i lartë.
Gaza
Më shumë se 58,000 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së shëndetësisë atje. Listat e viktimave të ministrisë nuk bëjnë dallim midis civilëve, por ato përfshijnë mijëra fëmijë.
Që nga përfundimi i armëpushimit më 18 mars, raportohet se janë vrarë 1,309 fëmijë dhe janë plagosur 3,738. Siç raporton UNICEF, në total, më shumë se 50,000 fëmijë raportohet se janë vrarë ose plagosur që nga tetori i vitit 2023.
Derisa bën thirrje për ndalje luftë, drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, u tha ambasadorëve se mesatarisht 28 fëmijë vriten çdo ditë në Gaza – “ekuivalenti i një klase të tërë”. Ndërkaq, raportohet se shkalla e urisë tek fëmijët arriti nivelet më të larta në qershor, me më shumë se 5,800 vajza dhe djem të diagnostikuar si të kequshqyer akut.
Konflikti Iran-Izrael, frika nga bombat
Një nga shqetësimet më të mëdha që lind nga këto konflikte është frika nga përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë, përfshirë armët kimike, bërthamore dhe të tjera. Për gati dy javë, Izraeli dhe Irani – dy vende në Lindjen e Mesme – kanë qenë në luftë.
Filloi kur Izraeli tha se qëlloi raketa në Iran më 13 qershor për të shkatërruar objektet e tij bërthamore. Lidhur me sulmin, Izraeli tha se vepruan nga frika se Irani do të krijonte armë bërthamore.
Mirëpo, këtë e mohoi Irani, duke thënë se programi i tyre bërthamor është për qëllime paqësore, si gjenerimi i energjisë. Më 21 qershor, SHBA-të u përfshinë duke bombarduar tre centrale bërthamore në Iran. Irani më vonë qëlloi me raketa një bazë ushtarake amerikane në Katar.
Disa ditë më vonë, të tre vendet ranë dakord për një armëpushim që po zbatohet për momentin./Klankosova.tv
The post Shikimi i pamjeve të dhunshme të luftës, një rrezik i heshtur për shëndetin mendor appeared first on Klan Kosova.