Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, ndërsa në orët e mbrëmjes mot me kthjellime dhe vranësira të përqendruara vetëm në veri të vendit.
Reshjet e shiut parashikohet të jenë prezentë që në orët e para të 24-orëshit, fillimisht në veriperëndim të vendit e gradualisht do të shtrihen edhe në zonën perëndimore dhe atë qendrore.
Në orët e mesditës deri pasdite reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët deri mesatar.
“Në veriperëndim, perëndim dhe qendër reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë, hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike. Në orët e mbrëmjes reshjet e shiut ndërpriten në pjesën më të madhe të vendit, duke mbetur prezentë vetëm në veri të vendit, por me intensitet të ulët të karakterit lokal”, thuhet në njoftim.
Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 7m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare, zonave luginore dhe në momentin e zhvillimit të vranësirave era pritet të fitoi shpejtësi deri në 20m/s.
Deti – Valëzimi i forcës 4-5 ballë. /Telegrafi/