Shevchenko: Shqipëria po rritet, zhvillimi më i madh vjen nga futbolli

Shevchenko: Shqipëria po rritet, zhvillimi më i madh vjen nga futbolli

FSHF mirëpriti sot në një vizitë zyrtare Presidentin e Federatës Ukrainase, njëherish legjendën e futbollit botëror, Andriy Shevchenko.

Gjatë vizitës, Andriy Shevchenko inspektoi qendrën stërvitore të ekipit kombëtar, terrenet e “Shtëpisë së Futbollit”, muzeun dhe ambientet e administratës së FSHF-së.

Në një prononcim për fshf.org, Andriy Shevchenko shprehu kënaqësinë për vizitën në Tiranë dhe falënderoi Presidentin Duka dhe FSHF-në për ftesën dhe mikpritjen. Ai vlerësoi zhvillimin e futbollit në Shqipëri dhe ndikimin e tij në rritjen e vendit.

“Faleminderit, jam shumë i kënaqur që jam këtu, dua të falënderoj Presidentin Armand Duka, një mik, për këtë mundësi të bukur dhe për mikpritjen. Jam shumë i impresionuar nga puna që është bërë. Vij në Shqipëri prej shumë kohësh dhe shoh vendin që po rritet shumë. I gjithë vendi po rritet, por besoj se zhvillimi më i madh vjen edhe nga futbolli, që po rritet shumë”, – u shpreh fillimisht Shevchenko, transmeton Klankosova.tv

“Kjo qendër sportive e bukur, me zyra, fusha stërvitjeje me strukturat e përshtatura për të pritur skuadrat e nivelit të lartë, duke i dhënë atyre të gjitha mundësitë për t’u përgatitur më mirë për stërvitje. Kam vizituar shumë qendra sportive dhe jam i impresionuar sepse organizimi dhe ideja e të ndërtuarit të një projekti të rëndësishëm, një projekt që mbi të gjitha është i përshtatur për të gjithë ata që bëjnë pjesë në Federatë, sepse shohim futbollin e vajzave dhe të djemve, strukturat e duhura për të mirëpritur evente, shoh struktura të përshtatshme për evente futbollistike, për fëmijë, për të rritur, e mbi të gjitha për skuadrat kombëtare. Qendra ka gjithashtu një muze shumë të bukur, ishte shumë interesante, mësova sot shumë gjëra që nuk i dija”, – tha Shevchenko.

Në fund të prononcimit, ai i uroi sukses futbollit shqiptar, FSHF-së dhe ekipit Kombëtar në kualifikueset e Kupës së Botës.

“I uroj futbollit tuaj, të gjithëve ju, të vazhdoni këtë rrugë në ngjitje, të kualifikoheni për diçka të rëndësishme. E di që keni një grup të vështirë, por futbolli luhet i barabartë kur nis ndeshja, ndaj është e rëndësishme të keni besim”, – përfundoi Shevchenko.

 

The post Shevchenko: Shqipëria po rritet, zhvillimi më i madh vjen nga futbolli appeared first on Klan Kosova.