Disa shenja janë magjepsëse në fillim, por lënë pas plagë të thella emocionale
Astrologjia shpesh shihet si një lojë e yjeve dhe karaktereve, e cila na ngacmon kureshtjen dhe ndonjëherë edhe na jep përgjigje që i marrim me rezervë. Edhe pse nuk ka bazë shkencore, njerëzit gjithmonë kanë qenë të magjepsur nga ideja se data e lindjes mund të ndikojë në mënyrën si e përjetojmë dashurinë.
E vërteta është se dashuria është e bukur, por edhe e dhimbshme. Ka persona që, me sharmin dhe karizmën e tyre, dinë të të rrëmbejnë brenda pak çastesh, por njësoj shpejt dinë të zhduken duke lënë pas zemra të thyera.
Sipas astrologëve, disa shenja të horoskopit janë më të prirura për të qenë “zemërthyesit” klasikë – të parezistueshëm, por të vështirë për t’u mbajtur gjatë në jetë. Këto shenja horoskopi janë të vështira për t’u dashuruar, por edhe më të vështira për t’u harruar. Ato sjellin në jetë dritë, zjarr e adrenalinë, por shpesh edhe mësime të dhimbshme për zemrën.
Le t’i zbulojmë cilat janë këto shenja që të bëjnë të ndihesh si në një ëndërr, por shpesh edhe të lënë me një boshllëk të madh pas ndarjes, transmeton Telegrafi.
Binjakët
Binjakët dinë saktësisht çfarë të thonë, kur ta thonë dhe si ta përdorin humorin apo intelektin e tyre për të të joshur. Ata janë shoqërorë, spontanë dhe shumë sharmantë. Por, njësoj si flaka që ndizet shpejt dhe shuhet po aq shpejt, edhe pasioni i tyre ka kufi. Rutina i mërzit, ndaj shumë marrëdhënie përfundojnë para se të bëhen serioze. Të gjithë bien në magjinë e tyre, por vetëm pak arrijnë të mbeten gjatë në zemrën e Binjakëve.
Luani
Luanët janë simbol i karizmës dhe vetëbesimit. Kur duan, dinë të të përkëdhelin me gjeste të mëdha dhe dashuri mbretërore. Por, kjo dashuri shpesh shoqërohet me pritshmëri të mëdha. Nëse nuk ndihen në qendër të vëmendjes, mund të të largohen papritur dhe me dramë, duke lënë pas një boshllëk të thellë.
Akrepi
Dashuria e Akrepit është pasionante, e thellë dhe e paharrueshme. Por kjo intensitet shpesh sjell dhimbje. Ata testojnë, kontrollojnë dhe analizojnë partnerin, duke krijuar një marrëdhënie sa magjepsëse aq edhe të lodhshme. Në momentin që ndihen të tradhtuar apo humbin interesin, të mbyllin derën pa asnjë shpjegim. Heshtja e tyre, pas një afërsie të fortë, dhemb më shumë se çdo grindje.
Shigjetari
Shigjetarët janë aventurierë të lindur. Me humorin, optimizmin dhe energjinë e tyre, ata janë magnet për këdo. Por, liria për ta është oksigjen. Nuk e durojnë dot kontrollin dhe kufizimet. Sapo ndihen të lidhur apo të ngadalësuar, largohen shpejt, ndonjëherë edhe me buzëqeshje, pa qëllim të keq, por duke lënë pas ndjenja të thyera. /Telegrafi/