​Shën Nënë Tereza nderohet me meshë solemne në 9-vjetorin e saj të shenjtërimit

​Shën Nënë Tereza nderohet me meshë solemne në 9-vjetorin e saj të shenjtërimit
Shën Nënë Tereza është nderuar sot me meshë solemne në 9 vjetorin e shenjtërimit të saj në katedralen e kryeqytetit.

Në tempullin fetar që mban emrin e saj u mblodhën besimtarë të shumtë dhe dashamirë të kauzës, ku u lexuan lutje nga vargjet e Biblës dhe u kënduan këngë në kor në lavdi të Shën Terezës.

Ipeshkvi, Dodë Gjergji nderoi angazhimin e të Dërguarit të Posaçëm të Atit të Shenjtë në Kosovë, Luigj Bardhin.

Dodë Gjergji:Kemi dashur që të fillojmë misionin tuaj në Kosovë me ndërmjetësimin e Nënë Terezës

“Në përvjetorin e shugurimit të kësaj Kishe, kemi nderin të presim edhe të Dërguarin e Posaçëm të Atit të Shenjtë për Kosovën, Luigj Bardhi. Kemi dashur që të fillojmë misionin tuaj në Kosovë me ndërmjetësimin e Nënë Terezës, pajtores së kësaj Kishe dhe bijës së popullit tonë dhe shpresojmë që ajo do të ju prijë mbarë në ditët e punës dhe të përfaqësimit të Atit të Shenjtë pranë nesh dhe pranë vendi tonë”, tha ai, raporton Kosovapress, transmeton Klankosova.tv.

Delegati Apostolik për Kosovën, Luigj Bardhi, ndau gëzimet e tij për pjesëmarrjen në këtë ceremoni, si dhe përcolli bekimin e Papa Leonit të Vatikanit.

Luigj Bardhi:Feja e krishterë ka një prani antike dhe të vazhdueshme këtu në Kosovë.

“Për mua është një motiv i madh gëzimi të mund të kremtoj me ju dhe për ju Eukaristinë në festën e Shën Nënë Terezës, në këtë katedrale të Prishtinës, e cila i është dedikuar asaj. Të gjithëve ju drejtoj përshëndetjet e mia, dhe si përfaqësues i Atit të Shenjtë në Kosovë, kam nderin të ndaj bekimin apostolik të Atit të Shenjtë, Leonit të XIV, si shenjë e hireve të shumta. Në mënyrë të veçantë dëshiroj të përshëndes ipeshkvin në Prishtinë, Dodë Gjergjin, të cilin e përgëzoj, si dhe arqipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët dhe të gjithë besimtarët. Feja e krishterë ka një prani antike dhe të vazhdueshme këtu në Kosovë”, tha ai.

Shën Nënë Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910, në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa më 19 tetor 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

The post ​Shën Nënë Tereza nderohet me meshë solemne në 9-vjetorin e saj të shenjtërimit appeared first on Klan Kosova.