Shemben skelat e drunjta në një kishë në Etiopi, 36 të vdekur dhe mbi 200 të lënduar

news image

Një tragjedi ka goditur Etiopinë, ku së paku 36 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 200 të tjerë janë lënduar gjatë një festivali fetar në pjesën qendrore të vendit.

Ngjarja ndodhi kur skelat e drunjta u shembën mbi besimtarë brenda një kishe të ndërtuar pjesërisht, njoftoi policia dhe një i mbijetuar.

Struktura e përkohshme nga druri u shemb të mërkurën nën peshën e besimtarëve që po vizitonin kishën “Arerti St Mary” në Minjar Shenkora Woreda, në rajonin Amhara, tha komandanti i policisë lokale, Ahmed Gebeyehu, raporton agjencia e lajmeve.

Sipas tij, numri i viktimave mund të rritet, pasi disa nga të lënduarit janë në gjendje kritike, raporton “Reuters”.

“Ajo që e shkaktoi dëmin ishte kur skelat ranë. Ato thjesht i shtypën njerëzit nën to. Disa që ndodheshin anash vrapuan jashtë, por ata që ishin në mes u shuan” – deklaroi Tadesse Tesfaye, një i mbijetuar i tragjedisë.

Një ditë pas incidentit, këpucët dhe sandalet e viktimave u panë të grumbulluara në tokë, pranë pjesëve të skelave të rrëzuara. Struktura e dëmtuar mbeti e shpërndarë nën kubenë e pikturuar rishtazi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/