Shefi i ChatGPT parashikon se kur Inteligjenca Artificiale mund të kurojë kancerin

Shefi i ChatGPT parashikon se kur Inteligjenca Artificiale mund të kurojë kancerin

Ndërsa në njërën anë, Inteligjenca Artificiale po u shkakton frikë shumë njerëzve për “zëvendësimet e vendeve të punës ose zhdukjen e njerëzimit”, në anën tjetër, ajo në fakt mund të shpëtojë jetë në një mënyrë të jashtëzakonshme.

Në këtë drejtim, emra të teknologjisë, përfshirë Bill Gates të Microsoft dhe CEO të Zoom, Eric Yuan, kanë rënë dakord që përparimet në Inteligjencën Artificiale do të çojnë në një javë pune më të shkurtër, duke arritur potencialisht në vetëm tre ditë.


Por shkenca po bashkëpunon me Inteligjencën Artificiale gjithnjë e më shumë, me një laborator të mbështetur nga Google që përdor Inteligjencën Artificiale për të provuar të zgjidhë të gjitha sëmundjet e botës.

Siç pretendohet më tej, përcjell Telegrafi, teknologjia po përdoret për të parashikuar vdekjen, shënuesit e sëmundjeve gjenetike dhe për të përcaktuar diagnoza të sakta mjekësore.

Madje, tani, CEO i OpenAI, Sam Altman, mendon se po i afrohemi shërimit të një prej shkaqeve kryesore të vdekjes.

një postim në blog, krijuesi i ChatGPT pretendoi se me 10 gigavatë fuqi llogaritëse, ‘gjëra të mahnitshme do të jenë të mundura’.

Ai shkroi: “Ndoshta me 10 gigavatë llogaritje, IA mund të gjejë një mënyrë për të kuruar kancerin. Ose me 10 gigavatë llogaritje, IA mund të gjejë një mënyrë për të ofruar mësimdhënie të personalizuar për çdo student në Tokë”.

Miliarderi i teknologjisë tha gjithashtu se OpenAI synon të ndërtojë një fabrikë që prodhon një gigavat infrastrukturë të re IA çdo javë, megjithëse kjo ka të ngjarë të zgjasë me vite.

Por nuk është e pamundur.

Hulumtuesit tashmë po përdorin IA-në për të bërë përparime mbresëlënëse shkencore, si mjeti AlphaFold i Google DeepMind i cili shpreson të përshpejtojë kërkimin për vaksinat dhe ilaçet.

Si konkluzion, thuhet se IA padyshim që ka ndihmuar në përmirësimin e zbulimit të kancerit, por në të vërtetë për të kuruar sëmundjet, ka ende shumë punë për të bërë.

Kjo për faktin se një nga sfidat më të mëdha në shërimin e kancerit është se nuk është vetëm një sëmundje e vetme. Në vend të kësaj, ka qindra lloje të ndryshme, secila me karakteristikat e veta unike.

Komentet e Altman pasuan njoftimin e OpenAI për partneritetin e saj të ri me Nvidia për të ndërtuar infrastrukturën e Inteligjencës Artificiale të së ardhmes. /Telegrafi/