Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, në një intervistë ekskluzive për A2 CNN, deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin nuk kërkon përballje të drejtpërdrejtë me Aleancën, por po ndjek një strategji të “luftës gri” për ta testuar atë.
“Potenciali që neni pesë të vihet në jetë është aty. Por ndjesia ime është që Putini nuk e do këtë dhe nuk do që të luftojë me NATO, sepse ai e di që NATO është ushtarakisht superior ndaj Rusisë”, tha Shea.
Sipas tij, Rusia preferon të qëndrojë poshtë vijës së kuqe, duke shmangur hapur përplasjen ushtarake me Aleancën, por duke përdorur mjete të tjera të ndikimit, si propaganda, operacionet e fshehta, sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit.
“Putini do të mohojë përgjegjësinë, do të testojë NATO-n, por nuk do të shkojë deri në përballje të hapur. Ai do të qëndrojë në zonën gri, afër kufirit të nenit pesë, por pa e kaluar atë”, theksoi ish-zyrtari i NATO-s.
Jamie Shea nënvizoi se rruga për të shmangur përshkallëzimin është të mos lejohet që Rusia të “kalojë lehtë” luftën hibride që po zhvillon, ndërsa paralajmëroi se Ballkani mbetet një zonë e brishtë, ku ndikimi rus dhe armatimi në rritje i Serbisë po shihet me shqetësim në kryeqytetet perëndimore.
“NATO po përgjigjet me solidaritet dhe përmirësim të mbrojtjes, por mbetet e qartë: çdo provokim do të ketë një përgjigje të matur, por të vendosur,” u shpreh Shea.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!