SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, reagime të ashpra nga politika e biznesi

SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, reagime të ashpra nga politika e biznesi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve mbi veprimet e Qeverisë në detyrë të kryeministrit Albin Kurti.

Ambasada amerikane në Prishtinë, tha se veprimet e ekzekutivit kanë rritur tensionet dhe kufizuar bashkëpunimin produktiv.


Ambasada theksoi se mbetet e përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta, por se përpjekjet do të rifillojnë vetëm “kur kushtet të jenë të përshtatshme”.

Qeveria në detyrë i hodhi poshtë kritikat, duke theksuar se veprimet e saj kanë synuar stabilitet afatgjatë.

Presidentja Vjosa Osmani shprehu keqardhje dhe e cilësoi marrëdhënien me SHBA pjesë ekzistenciale të identitetit shtetëror të Kosovës, duke bërë thirrje për unitet politik që dialogu të rifillojë sa më shpejt.

Partitë opozitare PDK e LDK e konsideruan pezullimin si pasojë të drejtpërdrejtë të qeverisjes së Kurtit, duke e cilësuar situatën si më të rëndën në marrëdhëniet me SHBA.

Edhe Ramush Haradinaj paralajmëroi se Kosova po përballet me ditët më të errëta të saj.

Reagime erdhën edhe nga komuniteti ekonomik.

Dhoma e Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane paralajmëruan se pezullimi i Dialogut Strategjik dëmton aspiratat ekonomike e diplomatike të vendit, duke kërkuar reflektim dhe koordinim më të ngushtë me SHBA-në.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën po konsiderohet brengosës edhe nga analistët.Profesori i së drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu konsideron se krerët shtetëror duhet ta trajtojnë me seriozitet këtë vendim të aleatit kryesor të Kosovës.

Baraliu vlerëson se kjo situatë duhet të riparohet sa më parë.

Eugen Cakolli nga KDI, tha se në gati dy dekada të ekzistencës së mekanizmit të “dialogut strategjik”, SHBA-të e kanë pezulluar apo ndërprerë atë vetëm me katër shtete Kinën, Rusinë, Gjeorgjinë, Kosovën.

Kurse, ish ambasadori Lulzim Peci ka shkruar se pezullimi i Dialogut Strategjik nga ana e SHBA-ve ka qene njëra nga masat e pritura që janë pasojë e politikes se papërgjegjshme të VV-së, gjegjësisht të Albin Kurtit, me të cilin po vallëzon edhe Vjosa Osmani.

E analisti Shkëlzen Gashi ka shkruar se Ambasada e Amerikës në Prishtinë e paska hapë sot e para fushatën zgjedhore.