Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar procesimin e vizave imigruese për Kosovën dhe Shqipërinë, si pjesë e një mase më të gjerë që përfshin gjithsej 75 shtete.
Vendimi vjen në kuadër të një rishikimi të procedurave të verifikimit, me fokus te aplikantët që autoritetet amerikane i konsiderojnë si të rrezikuar për t’u shndërruar në barrë për sistemin e ndihmave sociale, siç raporton “FoxNews”, transmeton Klankosova.tv.
Sipas një memorandumi të Departamentit të Shtetit, oficerët konsullorë janë udhëzuar që, duke u mbështetur në legjislacionin ekzistues, të refuzojnë aplikimet për viza derisa të përfundojë rishqyrtimi i plotë i procesit të kontrollit dhe verifikimit. Ky pezullim nis më 21 janar dhe do të zgjasë pa afat të caktuar.
Masat bazohen në të ashtuquajturën dispozitë “public charge” të ligjit të emigracionit, e cila u lejon autoriteteve amerikane të refuzojnë viza për aplikantë që vlerësohet se mund të mbështeten në përfitime publike. Në vlerësim përfshihen një sërë faktorësh, si shëndeti, mosha, njohja e gjuhës angleze, gjendja financiare dhe nevoja e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott, ka deklaruar se ShBA-ja do të përdorë autoritetin e saj ligjor për të parandaluar hyrjen e emigrantëve që mund të shfrytëzojnë sistemin e ndihmave sociale.
“Imigrimi nga këto 75 vende do të pezullohet derisa Departamenti i Shtetit të rishikojë procedurat për procesim të imigrimit, me qëllim parandalimin e hyrjes së shtetasve të huaj që do të mbështeteshin në ndihma sociale”, ka thënë ai.
Përjashtimet nga ky pezullim do të jenë shumë të kufizuara dhe do të lejohen vetëm pasi aplikantët të kalojnë vlerësimin mbi kriterin “public charge”, transmeton Klankosova.tv.
Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e listës së shteteve të prekura nga kjo masë, e cila përfshin edhe vende të tjera nga Ballkani, Evropa Lindore, Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Vendimi pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët kosovarë dhe shqiptarë që synojnë emigrimin në SHBA përmes vizave imigruese.
Kjo është lista e plotë: Afganistani, Shqipëria, Algjeria, Antigua dhe Barbuda, Armenia, Azerbajxhani, Bahamas, Bangladeshi, Barbadosi, Bjellorusia, Belize, Butani, Bosnje dhe Hercegovina, Brazili, Birmania, Kamboxhia, Kameruni, Kepi i Gjelbër, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Demokratike e Kongos, Dominika, Egjipti, Eritrea, Etiopia, Fixhi, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Grenada, Guatemala, Guinea, Haiti, Irani, Iraku, Xhamajka, Jordania, Kazakistani, Kosova, Kuvajti, Kirgistani, Laosi, Libani, Liberia, Libia, Maqedonia, Moldavia, Mongolia, Mali i Zi, Maroku, Nepali, Nikaragua, Nigeria, Pakistani, Republika e Kongos, Rusia, Ruanda, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadines, Senegali, Sierra Leone, Somalia, Sudani i Jugut, Sudani, Siria, Tanzania, Tajlanda, Togo, Tunizia, Uganda, Uruguaji, Uzbekistani dhe Jemeni. /Klankosova.tv


