Donald Trump ka njoftuar për një tjetër sulm ushtarak vdekjeprurës ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në ujërat ndërkombëtare, për të cilën ai tha se ishte e lidhur me një organizatë terroriste.
Në një mesazh në rrjetet sociale, presidenti amerikan tha se sulmi ishte drejtuar ndaj një anijeje që vepronte në zonën e përgjegjësisë së Komandës Jugore të SHBA-së (USSOUTHCOM), që përfshin Amerikën Qendrore, Amerikën Jugore dhe Karaibet dhe se u vranë tre “narko-terroristë”.
“Me urdhrin tim, Sekretari i Luftës urdhëroi një sulm kinetik vdekjeprurës ndaj një anijeje të lidhur me një organizatë terroriste, që merrej me trafik narkotikësh në zonën e përgjegjësisë së USSOUTHCOM-it”, shkroi Trump në Truth Social.
“Shërbimet e inteligjencës kanë konfirmuar se anija po transportonte drogë të paligjshme dhe po kalonte në një korridor të njohur të trafikut të drogës, në rrugë për të helmuar amerikanët”, shtoi ai.
Sipas liderit amerikan, asnjë pjesëtar i ushtrisë amerikane nuk është lënduar gjatë ndërhyrjes.
“Ndalo shitjen e fentanilit, narkotikëve dhe drogave të paligjshme në Amerikë dhe ndalo ushtrimin e dhunës dhe terrorizmit ndaj amerikanëve”, shkroi Trump, ku mesazhin e shoqëroi me një video të sulmit.
Ky ishte sulmi i tretë vdekjeprurës i ushtrisë ndaj një anijeje të dyshuar me drogë gjatë këtij muaji, ndërsa administrata e Trumpit po përshkallëzon luftën kundër trafikut të narkotikëve.
Më herët gjatë javës, Trump tha se ushtria amerikane kishte vrarë tre persona gjatë një sulmi ndaj një mjeti lundrues në ujërat ndërkombëtare pranë Amerikës Jugore, që dyshohej se “transportonte droga të paligjshme” nga Venezuela.
Ndryshe, detajet mbi vendndodhjen e saktë të sulmit ose mënyrën mbeten të paqarta. /Telegrafi/