Thesari i SHBA-së sapo i dha Argjentinës një litar shpëtimi të rrallë, duke ndërmarrë hapa për të stabilizuar tregjet e vendit duke blerë peso me vlerë 20 miliardë dollarë (17.28 miliardë euro), ndërsa Buenos Aires përballet me pakësimin e rezervave në dollarë.
“Thesari i SHBA-së është i përgatitur, menjëherë, të marrë çfarëdo mase të jashtëzakonshme që është e nevojshme për të siguruar stabilitet në tregje”, tha Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, duke shtuar se Departamenti i Thesarit zhvilloi katër ditë takime me Ministrin e Ekonomisë argjentinase, Luis Caputo, në Uashington.
Ky veprim stabilizoi asetet, por shkaktoi reagime në Capitol Hill, ku kritikët pretenduan se SHBA-të po e shpëtonin ekonominë argjentinase – diçka që Bessent e mohoi.
Presidenti libertarian i Argjentinës, Javier Milei, admirues i zjarrtë i presidentit të SHBA-së Donald Trump, falënderoi Sekretarin e Thesarit për “mbështetjen e tij të fortë” dhe Trumpin për “udhëheqjen e tij të fuqishme”.
“Së bashku, si aleatët më të ngushtë, ne do të krijojmë një hemisferë lirie ekonomike dhe prosperiteti”, tha Milei në një postim në rrjetet sociale.
Bessent po kritikohet ashpër nga fermerët amerikanë dhe ligjvënësit demokratë për mbështetjen e një ekonomie që konkurron drejtpërdrejt me prodhuesit amerikanë në sektorë të caktuar.
Fermerët amerikanë janë të zemëruar për idenë e shpëtimit të Argjentinës, fermerët e së cilës kanë përfituar nga një rritje e shpejtë e shitjeve të sojës në Kinë në kurriz të homologëve të tyre amerikanë.
Ligjvënësit e kanë shtyrë Trumpin të shpjegojë se si kjo ndihmë financiare përputhet me agjendën e tij “Amerika e Para”.
Ndryshe, Milei erdhi në detyrë në fund të vitit 2023 me premtimin e guximshëm se këtë herë do të ishte ndryshe.
Tani, ai përballet me provën më të madhe deri më tani, ndërsa shkon drejt zgjedhjeve të mesit të mandatit për në Kongres më 26 tetor, të cilat mund të vendosin fatin e eksperimentit të tij të tregut të lirë.
Ndihma financiare amerikane i ofron Mileit një lehtësim të rëndësishëm. /Telegrafi/