Ushtria amerikane ka kryer një sulm vdekjeprurës me dron ndaj një anijeje që pretendon se ishte e përfshirë në kontrabandën e drogës në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Venezuelës.
Sulmi vrau katër burra që Uashingtoni i quan “narko-terroristë”, njoftoi Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth.
Sipas Hegseth, operacioni u krye me urdhër të presidentit të SHBA-së Donald Trump.
“Inteligjenca jonë ka konfirmuar pa mëdyshje se anija mbante narkotikë, njerëzit në bord ishin narko-terroristë dhe po lundronin në një rrugë të njohur kontrabande”, shkroi Hegseth në X, duke shtuar se “sulme të tilla do të vazhdojnë derisa të hiqet kërcënimi për jetën e amerikanëve”.
Pamjet tregojnë një dron që fluturon mbi një motoskaf pak para se të goditet me saktësi nga një raketë e drejtuar.
Ky sulm është i fundit në një seri veprimesh të intensifikuara kundër trafikimit të drogës që kur Trump në shtator 2025 i përcaktoi kartelet ndërkombëtare si organizata terroriste të huaja.
Që atëherë, të paktën tre sulme të ngjashme janë kryer në Karaibe, duke fundosur disa anije dhe duke vrarë midis 17 dhe 20 persona, sipas Pentagonit.
Në rrjete sociale, shumë përdorues e vlerësuan sulmin si një “masë vendimtare për të mbrojtur kufijtë e Amerikës dhe luftën kundër drogës”.
Megjithatë, zyrtarët venezuelianë dhe disa analistë ndërkombëtarë kanë vënë në dyshim provat që lidhin këto anije me rrugët e kontrabandës, duke vënë në dukje se kjo po i tensionon më tej marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Karakasit. /Telegrafi/