SHBA bastis fabrikën e Hyundait për emigrantë të paligjshëm, reagon Koreja e Jugut: Do ketë përgjigje

news image

Autoritetet amerikane njoftuan se gjatë një operacioni kundër imigracionit të paligjshëm kanë arrestuar 475 persona, shumica shtetas koreano-jugor, të cilët sipas Departamentit të Sigurisë së Brendshme punonin ilegalisht.

Arrestimet ndodhën gajtë bastisjes së një fabrikë të përbashkët të Hyundai dhe LG Energy Solution në Xhorxhia të Shteteve të Bashkuara.

“Njerëzit me viza afatshkurtra ose rekreative nuk janë të autorizuar të punojnë në SHBA”, tha zyra e Imigracionit dhe Doganave (ICE), duke shtuar se bastisja ishte e nevojshme për të mbrojtur vendet e punës amerikane.

Presidenti Donald Trump e mbrojti operacionin, duke theksuar se bëhej fjalë për “emigrantë të paligjshëm” dhe se agjencitë amerikane “thjesht po bënin punën e tyre”.

Kjo situatë ka alarmuar Seulin, ku zyrtarët thanë se “do të ketë një përgjigje të plotë” pas arrestimit të më shumë se 300 qytetarëve të saj.

Ministri i Jashtëm, Cho Hyun, mblodhi një takim urgjent dhe tha se ndiente “një ndjenjë të madhe përgjegjësie për arrestimin e qytetarëve tanë”. Ai konfirmoi se është ngritur një ekip i posaçëm për të ndjekur çështjen, njofton rtsh.

Ndërkohë, LG Energy Solution njoftoi se ka pezulluar shumicën e udhëtimeve të biznesit drejt SHBA-së dhe po punon për lirimin e shpejtë të të ndaluarve.

Kjo ngjarje vjen në një moment delikat dhe rrezikon të krijojë tensione të reja në marrëdhëniet mes dy vendeve aleate, të cilat aktualisht po zhvillojnë bisedime të ndjeshme ekonomike dhe tregtare.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/