Shaqir Totaj dhe Halil Kastrati nënshkruajnë për ndërtimin e 50 shtëpive të reja për familjet në nevojë të Prizrenit

Shaqir Totaj dhe Halil Kastrati nënshkruajnë për ndërtimin e 50 shtëpive të reja për familjet në nevojë të Prizrenit

Sot, Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me organizatën “Jetimat e Ballkanit”, të udhëhequr nga Halil Kastrati, nisën projektin e madh humanitar për ndërtimin e 50 shtëpive për familjet në nevojë.

Ky projekt simbolizon bashkimin e forcave për t’u ofruar një strehë të sigurt atyre që kanë më së shumti nevojë.


Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se ky është një shembull konkret i bashkëpunimit dhe i zemrës së madhe prizrenase.

“Sot po e dëshmojmë edhe njëherë se Prizreni nuk i harron njerëzit në nevojë. Me Halil Kastratin dhe ‘Jetimat e Ballkanit’ po ndërtojmë 50 shtëpi të reja – 50 histori shprese dhe dinjiteti për familjet tona”.

Ai shtoi se ky projekt është pjesë e angazhimit të tij për një Prizren të drejtë dhe gjithëpërfshirës:

“Ky është humanizmi në vepër, solidariteti që e mban gjallë shpirtin e qytetit tonë. Në mandatin tim të dytë, do të sigurohemi që askush të mos mbetet pa kulm mbi kokë”.

Kryetari Totaj falënderoi edhe organizatën “Jetimat e Ballkanit” për bashkëpunimin e frytshëm:

“Halil Kastrati është shembull i rrallë i bamirësisë që frymëzon. Kur bashkohemi për një qëllim të mirë, rezultatet janë madhështore”.

Projekti për ndërtimin e 50 shtëpive do të realizohet në faza, duke i dhënë fund pasigurisë për dhjetëra familje prizrenase dhe duke forcuar lidhjen humane mes institucioneve dhe komunitetit.